E Martë, 3 Nëntor 2026

Trafik i armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, 2 të arrestuar

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri me qëllim shitjen është goditur në Kukës.

Policia njoftoi sot se “si rezultat i punës hetimore dhe operacionale të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Kalibri””.

Sipas policisë si “rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit Sh. Q., 31 vjeç dhe A. M., 46 vjeç, të dy banues në Prizren”.

“Në vendin e quajtur “Ura e Hasit”, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin Sh. Q., gjetën 8 armë zjarri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, njoftoi policia.

Policia njoftoi më tej se “nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar armët e zjarrit, nga Kosova në Shqipëri, nëpërmjet kufirit jeshil dhe se do t’ua shisnin ato, 2 shtetasve të cilët kur kanë parë shërbimet e Policisë, janë larguar. Për shkak të hetimit nuk i bëjmë me dije të dhënat e këtyre shtetasve. Vijon puna për kapjen e tyre”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

/m.q/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›