E Diel, 1 Nëntor 2026

UKRAINË – Shpallet gjendja e jashtëzakonshme energjetike pas sulmeve ruse

KIEV, 15 janar /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi dje në mbrëmje se është shpallur gjendje e jashtëzakonshme për të gjithë sektorin e energjisë në Ukrainë, pas sulmeve masive ruse.

Do të ngrihet një qendër koordinimi për t’u marrë posaçërisht me nevojat e kryeqytetit, Kiev, një qytet me 3 milionë banorë.

E gjithë qeveria do të organizojë ofrimin e pajisjeve dhe ndihmës shtesë.

Rrjetet e furnizimit të Kievit u shkatërruan gjatë një sulmi të rëndë ajror rus të premten e kaluar.

“Fillimisht, 6 000 blloqe apartamentesh nuk kishin ngrohje”, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko në një takim me administratën e qytetit të tij.

Aktualisht, 400 ndërtesa janë ende pa ngrohje dhe shpresohet që ato të rilidhen me rrjetin e ngrohjes qendrore deri të mërkurën në mbrëmje.

Me temperatura prej -12 gradë Celsius gjatë ditës dhe -18 gradë gjatë natës, ndërtesat pa ngrohje ftohen shpejt.

Qeveria dëshiron të lehtësojë orën policore gjatë natës në mënyrë që qytetarët të mund të shkojnë në afërsisht 1 200 qendrat e ngrohjes në Kiev, në çdo kohë.

“Sulmet e ndërsjella me dronë midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë natës së kaluar shkaktuan viktima dhe dëme në infrastrukturën energjetike”, thanë zyrtarët rajonalë nga të dyja palët.

Në qytetin jugor rus të Rostov-on-Don, katër persona u plagosën në një sulm me dronë ukrainas, tha guvernatori i rajonit të Rostov, Yury Slyusar, në një postim në Telegram.

“Zjarre shpërthyen në disa apartamente në ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një person u gjet i vdekur në njërën prej apartamenteve”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›