SHBA – Trump: Izraeli ka rënë dakord për një armëpushim 60-ditor

UASHINGTON, 2 qershor /ATSH-DPA/- Izraeli ka rënë dakord për kushtet e nevojshme për një armëpushim 60-ditor në luftën e Gazës dhe tani i takon Hamasit ta pranojë marrëveshjen, tha dje në mbrëmje presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
“Gjatë periudhës dymujore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me të gjitha palët për t’i dhënë fund konfliktit”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Përfaqësues nga Katari dhe Egjipti, të cilët kanë qenë të përfshirë në përpjekjet për paqe, do t’ia paraqesin propozimin e fundit organizatës ekstremiste palestineze Hamas.
“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë Marrëveshje,sepse situata nuk do të përmirësohet, por vetëm do të përkeqësohet”, tha Trump në postimin e tij.
Presidenti amerikan tha se përfaqësuesit e SHBA-së zhvilluan dje një takim të gjatë dhe produktiv me zyrtarët izraelitë për të diskutuar situatën në Gazë. Nuk pati komente të menjëhershme nga pala izraelite.
Trump la të kuptohej për një armëpushim të mundshëm në luftën e Gazës disa ditë më parë.
Ai do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Uashington javën e ardhshme, ku në krye të axhendës do të jetë lufta në Gazë.
Trump përsëriti dje se pret që të arrihet një marrëveshje javën e ardhshme.
SHBA ka punuar prej disa javësh për të fituar mbështetje për një plan që përfshin një armëpushim fillestar 60-ditor. //a.i/