E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Meloni ka lënë një përshtypje fantastike gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 18 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shprehu entuziazmin e tij për kryeministren italiane Giorgia Meloni pas vizitës së saj në Shtëpinë e Bardhë, duke postuar dje në platformën e tij “Truth Social” se përshtypja që ajo kishte lënë ishte fantastike.

Trump tha se Meloni ishte e mrekullueshme dje në vizitën e saj në Shtëpinë e Bardhë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump kishte pranuar ftesën e Meloni për të bërë një vizitë zyrtare në Itali “në një të ardhme shumë të afërt”.

Zëvendëspresidenti i Trump, JD Vance ndodhet aktualisht në Romë.

Meloni u prit dje nga Trump në Zyrën Ovale – dhe të dy u shfaqën në humor të mirë – duke bërë shaka me njëri-tjetrin gjatë një konference të përbashkët për shtyp.

Kryeministrja italiane theksoi ngjashmëritë mes dy qeverive, ndërsa Trump e vlerësoi shumë Melonin.

Në bisedën dypalëshe u trajtua edhe tema e tarifave.

Ashtu si shumë liderë të tjerë evropianë, Meloni ka kritikuar njoftimin e Trump për tarifa të reja ndëshkuese, ndërsa përpiqet për një marrëdhënie të mirë me presidentin amerikan, duke synuar të veprojë si një “urë-ndërtues “.

Pas takimit, Shtëpia e Bardhë deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia bien dakord të punojnë për të siguruar që tregtia midis SHBA-së dhe Evropës të jetë reciprokisht e dobishme dhe e drejtë.

Meloni konsiderohet si një nga marrëdhëniet e preferuara të Trump mes liderëve evropianë.

Liderja e partisë së ekstremit të djathtë “Fratelli d’Italia” mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Trump në janar dhe ishte e ftuar në rezidencën e tij në Mar-a-Lago në Florida. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›