E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Tarifat amerikane ndaj Indisë do të rriten ndjeshëm

UASHINGTON, 4 gusht /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi sot se do të rrisë ndjeshëm tarifat ndaj Indisë, sipas “Bloomberg”.

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por pjesën më të madhe të naftës së blerë, e shet në Tregun e Hapur për fitime të mëdha”, shkroi sot Trump në “Truth Social”.

“Atyre nuk u intereson se sa njerëz në Ukrainë po vriten nga Makineria Ruse e Luftës. Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën e paguar nga India për SHBA-në”, shtoi ai.

Tarifat gjithëpërfshirëse të njoftuara nga presidenti Trump do të hyjnë në fuqi, këtë javë.

Javën e kaluar, Trump njoftoi një tarifë prej 25% për mallrat nga India, duke përfshirë një taksë shtesë importi për shkak të blerjes së naftës ruse nga vendi.

Trump e ka drejtuar zemërimin e tij si ndaj Indisë ashtu edhe ndaj Kinës për blerjet e naftës ruse.

Kina e quajti kërkesën një pengesë kyçe në bisedimet tregtare, ndërsa India nuk është zotuar të ndalojë blerjet dhe po i nxit qytetarët të mbështesin mallrat vendase.

India po përballet me tarifa prej 25% për eksportet e saj në SHBA – sipas planeve që Trump i ndërmori javën e kaluar.

Trump nënshkroi një urdhër për të rritur tarifat ndaj Kanadasë në 35%, ndërsa vendosi norma nga 10% në 40% për dhjetëra partnerë.

Këto tarifa do të hyjnë në fuqi të plotë këtë javë, ndërsa Trump duket se do ta ndryshojë në mënyrë dramatike peizazhin tregtar të SHBA-së.

Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha se raundi i fundit i tarifave është “pothuajse i përcaktuar” dhe nuk ka gjasa të ndryshojë. //a.i/.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›