SHBA – Trump deklaron ‘Rrezik të lartë!’ ndërsa niset për bisedime me Putinin

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është nisur për në Alaskë për takimin e tij të shumëpritur me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë sot në mëngjes dhe më pas hipi në avionin presidencial “Air Force One”.
Sipas orarit të qeverisë amerikane, Trump pritet të mbërrijë sot në Anchorage, qytetin më të madh të Alaskës, në orën 21:00.
Takimi do të shënojë bisedimet e tij të para ballë për ballë me Putinin – që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në detyrë, me diskutime që do të përqendrohen kryesisht në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Presidenti Trump shoqerohet nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sekretari i Departamentit të Thesarit, Scott Bessent, sekretari i Departamentit të Tregtisë, Howard Lutnick dhe i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff.
Para se të nisej, Trump postoi në platformën e tij “Truth Social”: “RREZIQE TË LARTA!!!” – duke përshkruar skenarë të mundshëm ku rreziqet dhe përfitimet ishin të konsiderueshme.
Bisedimet mund të sjellin vrull drejt përfundimit të luftës, megjithëse mbetet e paqartë se sa mund të arrihet kjo. Ukraina nuk do të marrë pjesë në takimin SHBA-Rusi në Anchorage, Alaskë.
Aleatët evropianë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky kanë frikë se Trump dhe Putin mund të bien dakord për lëshime territoriale ndaj Rusisë pa përfshirjen e Kievit.
Uashingtoni nuk mund t’i diktojë një armëpushim ushtrisë ukrainase ose t’i urdhërojë asaj të tërhiqet nga territori i vet, veçanërisht pasi çdo lëshim territorial do të kërkonte ndryshime në kushtetutën e Ukrainës.
Megjithatë, Trump ka një ndikim të konsiderueshëm: Përveç dërgesave të armëve, ai gjithashtu mund të ndalojë ofrimin e të dhënave satelitore ose inteligjencës amerikane – burime që janë praktikisht të pazëvendësueshme për Ukrainën në luftë. //a.i/