E Hënë, 2 Nëntor 2026

BM – EHRC kundër veprimeve të ashpra policore gjatë protestave për Gazën

LONDËR, 15 gusht /ATSH-DPA/ – Autoriteti britanik për të drejtat e njeriut ka shprehur shqetësime lidhur me “veprimet e ashpra policore”, duke thënë se ato mund të krijojnë një “efekt frikësues” mbi të drejtën për të protestuar, pas demonstratave të fundit ne Britaninë e Madhe për luftën në Gazë.

Komisioni për Barazi dhe të Drejta të Njeriut (EHRC) i ka shkruar sekretares së Brendshme Yvette Cooper dhe komisionerit të Policisë Metropolitane Mark Rowley – duke ju kujtuar se “e drejta për të protestuar është një themel i çdo demokracie të shëndetshme”.

Letra, nga kryetarja e EHRC- së Kishwer Falkner, shpreh shqetësim për “raporte mbi përfshirjen e policisë me individë që marrin pjesë në forma proteste që nuk lidhen me asnjë organizatë të ndaluar”.

Komisioni përmend një raport të gazetës “The Guardian” për një grua që thuhet se është kërcënuar me arrest nën Aktin e Terrorizmit për mbajtjen e një flamuri palestinez dhe pankartash me mbishkrimet “Liri Gazës” dhe “Izraeli po kryen gjenocid.”

Falkner tha se çdo ndërhyrje mbi të drejtat e protestës “duhet të jetë ligjore dhe e vlerësuar rast pas rasti“. “Veprimet e ashpra policore rrezikojnë krijimin e një efekti frikësues, duke penguar qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për shprehje dhe tubim për shkak të frikës nga pasojat e mundshme. Ky shqetësim shtrihet përtej atyre që janë direkt të përfshirë, duke ndikuar mbi shëndetin e përgjithshëm të demokracisë, sepse perceptimi se protesta paqësore mund të tërheqë vëmendje të tepruar policore dobëson besimin tek mbrojtja e të drejtave të njeriut”, shtoi ajo.

EHRC-ja  tha se autoritetet qeveritare dhe policore duhet “të sigurojnë që të gjithë oficerët të marrin udhëzime të qarta dhe të qëndrueshme mbi detyrimet e tyre për të drejtat e njeriut” lidhur me protestat.

“Palestine Action” u nxorr jashtë  ligjit nga qeveria britanike në korrik, duke e bërë mbështetjen ose anëtarësimin në këtë grup një vepër penale, e dënuar deri në 14 vjet burg nën Aktin e Terrorizmit 2000.

Më shumë se 500 persona u arrestuan fundjavën e kaluar për dyshim se kishin shfaqur ndonjë element në mbështetje të një grupi të ndaluar gjatë demonstratave në qendër të Londrës. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›