SHBA – Trump dënon vrasjet “e tmerrshme” pranë muzeut hebraik në Uashington

UASHINGTON, 22 maj /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dënoi vrasjen fatale të dy punonjësve të ambasadës izraelite jashtë një muzeu hebre në Uashington, dje në mbrëmje, duke e quajtur atë një akt “të tmerrshëm” antisemitizmi.
“Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, të bazuara padyshim në antisemitizëm, duhet të marrin fund, TANI!”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
“Urrejtja dhe Radikalizmi nuk kanë vend në SHBA. Ngushëllime familjeve të viktimave. Shumë e trishtueshme që gjëra të tilla mund të ndodhin!”, tha presidenti amerikan.
Shefeja e Policisë Metropolitane, Pamela Smith tha se ishte vrarë një burrë dhe një grua. Ajo tha se policia kishte arrestuar një të dyshuar – të cilit i ishte gjetur një armë.
“I dyshuari brohoriti ‘Palestina e lirë, Palestina e lirë’ ndërsa ishte në paraburgim”, shtoi ajo. //a.i/