KIEV – Zelensky raporton sulme intensive ruse në Ukrainën lindore

KIEV, 22 maj /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se forcat ruse po vazhdonin me sulmet përgjatë frontit lindor, ndërsa luftimet e ashpra ishin përqendruar rreth qytetit të kontestuar, Pokrovsk.
Zelensky tha gjithashtu se njësitë ukrainase po vepronin ende në territorin rus në rajonet Kursk dhe Belgorod për të mbrojtur qytetet verilindore ukrainase, Sumy dhe Kharkiv.
Ai hodhi poshtë pretendimet ruse se zona ishte rimarrë plotësisht nga trupat ruse.
Vëzhguesit ushtarakë në Ukrainë thanë se forcat e Kievit mbanin ende nën kontroll disa kilometra katrorë në rajonin e Kurskut – e pushtuar pas një inkursioni të papritur në rajonin e Kurskut në verën e vitit 2024.
Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se forcat ruse kishin nisur dje 104 sulme në të gjithë vijat e frontit, duke përfshirë 43 rreth Pokrovskut.
“Shpërthime u raportuan gjithashtu dje në mbrëmje në Sumy”, sipas transmetuesit publik “Suspilne”.
Zelensky tha gjithashtu se përgatitjet ishin duke vazhduar për shkëmbimin e të burgosurve – dakordësuar me Rusinë, javën e kaluar në Stamboll. Të dyja palët planifikojnë të lirojnë nga 1,000 të burgosur secila. //a.i/