E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump e quan “dhuratë” investimin prej 600 miliardë dollarësh nga BE-ja

UASHINGTON, 5 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur investimin prej 600 miliardë dollarësh, si pjesë e marrëveshjes për tarifat me Bashkimin Evropian, si një “dhuratë”.

“Ata na dhanë 600 miliardë dollarë që mund t’i investojmë ku të duam”, tha Trump në një intervistë për “CNBC”, duke iu referuar një pjese kyçe të marrëveshjes tregtare të shpallur në fund të korrikut.

Trump e përshkroi shumën si “një dhuratë” që nuk është hua dhe për rrjedhojë nuk ka nevojë të kthehet pas tre vitesh.

Kjo bie ndesh me deklaratat e mëparshme të Komisionit Evropian, sipas të cilit kompanitë nga BE-ja kanë shprehur interes për të investuar 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve të ardhshme.

Sipas Komisionit, deri tani bëhet fjalë vetëm për shprehje interesi nga ana e kompanive, pa ndonjë angazhim konkret.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse BE-ja nuk e përmbush këtë premtim investimi, Trump kërcënoi se do të vendosë tarifa 35%. Megjithatë, mbeti e paqartë se kur do të konsiderohej shkelje e marrëveshjes, pasi investimet janë planifikuar të ndodhin për një periudhë disa-vjeçare.

Një zyrtar i Komisionit Evropian sqaroi së fundmi se investimet janë në dorën e kompanive private dhe se Komisioni, si institucion publik, nuk mund t’i garantojë ato.

Marrëveshja mes Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, parashikon një tarifë prej 15% për shumicën e importeve nga BE-ja në SHBA. Data e re e hyrjes në fuqi është 7 gusht.

Përveç shumës prej 600 miliardë dollarësh, BE-ja i ka premtuar Trump-it se deri në fund të mandatit të tij do të blejë energji amerikane në vlerë prej 750 miliardë dollarësh. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›