E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPANJË – Zjarre masive, një i vdekur dhe mijëra të evakuuar

MADRID, 12 gusht /ATSH/- Pothuajse 6 000 banorë janë evakuuar nga banesat e tyre në Spanjën veriore, qendrore dhe jugore, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen mes valës së të nxehtit – që mund të sjellë temperatura deri në 44 gradë Celsius në disa pjesë të vendit, sipas “The Guardian”.

Ekipet e zjarrfikësve në Spanjë kanë vënë nën kontroll një zjarr të madh në zonën e Tres Cantos, pranë Madridit – i cili shkaktoi vdekjen e një personi dhe evakuimin e mijëra banorëve.

Rreth 180 persona u evakuuan nga zonat e banimit, përfshirë Soto de Viñuelas dhe Fuente El Fresno në rajonin e Tres Cantos, sipas zyrtarëve.

Nxehtësia vdekjeprurëse në pjesë të mëdha të Evropës ka krijuar atë që shkencëtarët e kanë quajtur një “koktej molotovi” të kushteve klimatike që po nxit zjarre të mëdha.

Në rajonin veriperëndimor të Castilla y León, më shumë se 3 700 persona u evakuuan në 16 komuna.

Dhjetë zjarre kanë qënë aktive dhe vendi i minierave të epokës romake, i listuar si Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, në Les Médulas u dëmtua nga flakët.

Në qytetin jugor të Tarifës, zjarrfikësit dhe avionët po luftojnë ende me zjarrin masiv që shpërtheu dje, duke shkaktuar evakuimin e 2 000 banorëve.

Flakët kanë bërë që Ministria e Brendshme të shpallë një “fazë para-emergjence” për të ndihmuar në koordinimin e burimeve të emergjencës.

Zjarret masive kanë përfshirë dhjetëra mijëra hektarë dhe kanë kërcënuar vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Rreth 39,155 hektarë janë djegur midis 1 janarit dhe 3 gushtit të këtij viti në Spanjë – një sipërfaqe 9% më e madhe se në të njëjtën periudhë të vitit 2024”, tha qeveria. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›