SHBA – Trump ndalon udhëtimet drejt SHBA-së për shtetasit nga 12 vende

UASHINGTON, 5 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi dje ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-së për shtetasit nga 12 vende, duke përmendur rreziqet e sigurisë.
“Si president, unë duhet të veproj për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj”, tha Trump në një deklaratë.
“Ne do ta rivendosim ndalimin e udhëtimit, disa njerëz e quajnë ndalimin e udhëtimit të Trump, dhe do t’i mbajmë terroristët radikalë islamikë jashtë vendit tonë, i cili u mbështet nga Gjykata Supreme”, shtoi ai.
Ndalimi kufizon plotësisht hyrjen e shtetasve nga 12 vende: Afganistani, Burma, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni.
“Shtetasit nga Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela do të kufizohen pjesërisht”, tha Trump.
“Disa nga vendet e përmendura kanë procese të pamjaftueshme shqyrtimi dhe verifikimi, duke penguar aftësinë e Amerikës për të identifikuar kërcënimet e mundshme të sigurisë para hyrjes”, thuhet në një dokument të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Vende të tjera shfaqin norma të larta të tejkalimit të vizave, ose nuk kanë bashkëpunuar në ndarjen e informacionit mbi identitetin dhe kërcënimet”, thuhet ne deklarate.
Trump vendosi kufizime udhëtimi për një grup vendesh kryesisht myslimane si një nga aktet e tij të para presidenciale – pasi mori detyrën për herë të parë në vitin 2017.
Disa gjykata federale u përpoqën ta bllokonin ndalimin, përpara se Gjykata Supreme të vendoste në vitin 2018 se ishte thjesht brenda fushëveprimit të autoritetit presidencial.
Vendimi për ndalimin e udhëtimit për 12 vende do të hyjë në fuqi nga e hëna. //a./