Bardhi në Strasburg: Asnjë rezultat konkret për parandalimin e krimeve zgjedhore

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit në Strasburg, tërhoqi vëmendjen për krimet zgjedhore në Shqipëri.
Bardhi iu drejtua Komisionit Europian, ndërsa solli në vëmendje funksionimin e taskforcës së SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
“Përfaqësuesja e Parlamentit Europian foli për ngritjen e një taskforce me pjesëmarrjen e SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së. Kjo taskforcë u ngrit për të monitoruar krimet zgjedhore dhe ndërtoi një strategji të përbashkët institucionale për t’i luftuar ato. Ishte një veprim që duhej përshëndetur”, u shpreh ai.
Por, Bardhi nënvizoi se “fakti është se më 20 shkurt, kryeministri Edi Rama, në një dalje publike, i kërkoi Prokurorisë së Posaçme të ndalojë menjëherë çdo veprim në terren, duke thënë: ‘Mos i survejoni partitë politike, ndaloni ndjekjen e tyre, mos cenoni të drejtat e qeverisë dhe mos ushtroni trysni ndaj administratës'”.
“Që nga ai moment, më 20 shkurt 2025, e deri në përfundim të zgjedhjeve, rezultoi se jo vetëm që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme nuk u panë më në terren, por nuk pati asnjë rezultat konkret për parandalimin e krimeve zgjedhore”, theksoi ai.
Bardhi tha se “mund të ketë çështje nën hetim dhe procedime në zhvillim, por nëse rezultatet e këtyre hetimeve i marrim në vitin 2030, ato nuk ndihmojnë aspak në ndëshkimin real të krimeve zgjedhore”.
“Pyetja ime për Komisionin Europian është: Në procesin e integrimit, është më e rëndësishme të kemi rezultate konkrete, apo projekte të shkruara vetëm në letër? Sepse ajo që ndodhi ishte një përpjekje e mirë që mbeti vetëm në letra, në realitet ka zero rezultate””, theksoi ai.
/m.m/a.f/r.e/