SHBA – Trump zotohet të përmirësojë arsenalin bërthamor

VIRXHINIA, 30 shtator /ATSH/- Ne do të përmirësojmë arsenalin tonë bërthamor, por shpresoj që ai të mos përdoret kurrë, tha sot presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një aktivitet të komandës ushtarake të organizuar në Bazën e Korpusit të Marinës Quantico, në Virxhinia, sipas CNN.
“Në vitet e ardhshme, ne do ta bëjmë ushtrinë më të fortë, më të ashpër, më të shpejtë, më të frikshme dhe më të fuqishme sesa është sot. Si ushtria më vdekjeprurëse dhe më dominuese në botë, ajo duhet të mbrojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekadat dhe brezat që do të vijnë”, shtoi Trump.
“Tashmë i kemi rindërtuar armët tona bërthamore dhe do të vazhdojmë t’i përmirësojmë ato”, tha ai duke iu drejtuar rreth 800 gjeneralëve dhe admiralëve ushtarakë amerikanë të mbledhur nga zonat e konfliktit dhe nga e gjithë bota.
“Kjo fuqi është aq e madhe sa nuk duhet të përdoret kurrë”, shtoi ai.
“Kur Rusia përmendi së fundmi armët bërthamore, unë menjëherë vendosa nëndetëse bërthamore në bregdetin e tyre. Nëndetëset tona janë të pazbulueshme dhe më të fuqishmet”, tha Trump.
“SHBA-ja zotëron pajisjet më të avancuara të nëndetëseve bërthamore në botë – që janë të paktën 25 vjet përpara Rusisë dhe Kinës”, theksoi ai. //a.i/