E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA i dhuron pajisje të avancuara AKSK-së për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Shqipëri

Zëvendës Shefja e Misionit të SHBA-së në detyrë, Kathryn Hammond, i ka dorëzuar muajin e shkuar pajisje të avancuara për mbrojtjen e sigurt të rrjetit Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), duke theksuar mbështetjen e fortë të qeverisë amerikane për rritjen e sigurisë kibernetike në Shqipëri.

Dorëzimi i pajisjeve vjen në një periudhë ku kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe përbëjnë një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare. Hammond nënvizoi se në një botë gjithnjë e më digjitale, siguria kibernetike është thelbësore jo vetëm për mbrojtjen e infrastrukturës shtetërore, por edhe për forcimin e mbrojtjes kolektive përballë sulmeve keqdashëse.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar këtë mbështetje si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, njëkohësisht duke kontribuar në sigurinë rajonale dhe atë të NATO-s.

Ky bashkëpunim i zgjeruar synon të rrisë qëndrueshmërinë e sistemeve të mbrojtjes ndaj sulmeve të mundshme dhe të përforcojë partneritetin strategjik mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe sigurisë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›