SHBA i jep fund izolimit të Sirisë, Trump heq sanksionet “Cezar”, hapet rruga për rindërtimin prej 216 miliardë dollarësh

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hequr përfundimisht sanksionet më të ashpra që rëndonin mbi Sirinë prej vitesh, duke shënuar kështu fillimin e një epoke të re për vendin e dalë nga lufta civile.
Presidenti Donald Trump nënshkroi shfuqizimin përfundimtar të të ashtuquajturit “Akti i Cezarit”, pasi Kongresi Amerikan e miratoi atë si pjesë të buxhetit vjetor të mbrojtjes. Ky akt, i vendosur në vitin 2019 për të ndëshkuar regjimin e ish-presidentit Bashar al-Assad për shkelje të të drejtave të njeriut, kishte izoluar financiarisht Sirinë nga bota.
Rruga drejt rindërtimit
Pas rrëzimit të regjimit të Assadit në dhjetor 2024, presioni për heqjen e sanksioneve u rrit. Avokatët dhe lobistët argumentuan se këto masa po pengonin investitorët ndërkombëtarë dhe po bllokonin rimëkëmbjen e një infrastrukture të shkatërruar, kostoja e së cilës, sipas Bankës Botërore, llogaritet në 216 miliardë dollarë.
Ministria e Jashtme e Sirisë e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si një hap që “do të lehtësojë barrën mbi popullin sirian”. Në një thirrje të hapur, Damasku ftoi biznesmenët dhe investitorët e huaj të kthejnë sytë nga Siria.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Abdulkader Husrieh, shpjegoi rëndësinë financiare të këtij vendimi: “Siria ka të ngjarë të fillojë me një vlerësim të ulët krediti, gjë që është normale për vendet që dalin nga konflikti. Por vlera e vërtetë qëndron te riintegrimi në sistemin financiar ndërkombëtar,” tha ai.
Prapaskenat diplomatike dhe reagimet
Vendimi i Uashingtonit nuk erdhi pa ndikim rajonal. Presidenti Trump deklaroi se hapat për heqjen e sanksioneve u ndërmorën edhe pas kërkesave nga aleatët strategjikë: Princi i Kurorës saudit, Mohammed bin Salman dhe Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Turqia, Arabia Saudite dhe Katari, të cilët mbështesin qeverinë e re siriane të presidentit të përkohshëm Ahmad al-Sharaa, e mirëpritën vendimin si garanci për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Kushtet e SHBA dhe “dora e fortë” e Britanisë
Megjithëse disa ligjvënës amerikanë kërkuan kushtëzimin e heqjes së sanksioneve me mbrojtjen e pakicave fetare nga qeveria e re e dominuar nga islamistët sunitë, akti u shfuqizua pa kushte paraprake. Gjithsesi, Kongresi do të kërkojë raporte periodike mbi të drejtat e njeriut dhe masat kundër terrorizmit.
Nga ana tjetër, Mbretëria e Bashkuar ka mbajtur një qëndrim më selektiv. Ndërsa ka hequr sanksionet e gjera, Londra vendosi masa të reja ndëshkimore ndaj individëve specifikë të përfshirë në dhunë sektare. Lista përfshin besnikë të ish-regjimit të Assadit, por edhe anëtarë të grupeve të armatosura të lidhura me qeverinë e re, të akuzuar për sulme hakmarrëse ndaj komunitetit alavit.
/rtsh.al/