“SHBA, njoftim standard për Iranin”, ministri i Brendshëm thotë se masat janë marrë kohë më parë, nuk ka vend për panik

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, e quajti një lajmërim standard njoftimin e bërë dy ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila u bënte thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut të sulmeve nga grupe të lidhura me Iranin.
Sipas tij institucionet ligjzbatuese, janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, dhe prej kohësh kanë bërë një vlerësim të plotë të riskut.
“Shqipëria prej disa kohësh ka marrë masat e nevojshme, në kuptim të vlerësimit të riskut nga gjithë agjencitë ligjzbatuese në bashkëpunim dhe me partnerët ndërkombëtarë. Kemi bërë vlerësimin e riskut dhe një plan masash lidhur jo vetëm me sigurinë publike në sheshe publike dhe vendndodhje me rëndësi kritike por edhe infrastrukturën kritike në tërësi. Policia e Shtetit është me masa të shtuara sigurie në vendndodhjet që cilësohen me rëndësi kritike. Kjo ka ndodhur shumë kohë më parë duke marrë parasysh gjithë zhvillimet në Lindjen e Mesme. Kërkova nga struktura e Policisë së Shtetit, përfshirë drejtorinë Antiterror, Policinë Kriminale dhe Sigurinë Publike për të më informuar lidhur me masat që ato kishin marër dhe komunikimet që kishin pasur me përfaqësues të ambasadës. Nga komunikimet është konfirmuar se ky është një lajmërim standard që është bërë edhe në vende të tjera të botës, përfshirë edhe vende të BE. Ata vlerësojnë bashkëpunimin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare dhe policisë shqiptare për masat e marra prej kohësh”, tha Lamallari.
Gjatë konferencës për shtyp, ministri u pyet edhe për hetimet mbi atentatin mafioz të Rinasit.
“Kjo është puna e hetueseve sa i përket rastit në fjalë, unë mendoj se policia e shtetit e ka kryer detyrën. Unë jam i bindur se drejtori i ri i policisë siç bëri edhe gjatë prezantimit të tij do të ketë në fokus forcimin e besimit brenda dhe jashtë vendit. Kam besim se në vijim do të kemi rezultate pozitive”, tha Lamallari”, tha ministri.
Ndërkohë Lamallari refuzoi të jepte një koment mbi fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i zhdukur që prej vitit 2023.
“Vlerësimin mbi nivelin e hetimeve nga policia, e bën vetëm prokurori i çështjes. Nuk kam koment aq më tepër për afate se afatet përcaktohen në varësi të kompleksitetit të çështjes”, tha Lamallari.
Ministri i Brendshëm u ndal edhe tek protestat e Partisë Demokratike duke thënë se do të dënohen sipas ligjit të gjithë ata persona që rrezikojnë jetën e qytetarëve, të efektivëve të Policisë së Shtetit dhe që sulmojnë godinat shtetërore me molotovë.