FOKUS – Trump mbërrin në Egjipt për samitin e paqes në Gaza

KAJRO, 13 tetor /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka mbërritur sot pasdite në Egjipt – pas një vizite të shkurtër në Izrael, ku iu drejtua ligjvënësve në parlamentin e vendit.
Avioni qeveritar i Trump, “Air Force One”, u ul sot në qytetin turistik, Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sissi dhe Trump po bashkëkryesojnë samitin për paqe – për të nënshkruar zyrtarisht një marrëveshje armëpushimi midis grupit militant palestinez “Hamas” dhe Izraelit.
Sipas mikpritësve egjiptianë, do të ketë bisedime për konsolidimin e armëpushimit midis palëve ndërluftuese dhe për rindërtimin e Rripit të Gazës.
Zyra presidenciale e Egjiptit e përshkruan samitin si një marrëveshje për për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Pjesëmarrësit në samit përfshijnë kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, si dhe emirin e Katarit Tamim bin Hamad Al Thani dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.
Me një njoftim të shkurtër, Egjipti njoftoi gjithashtu se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të merrte pjesë, por zyra e tij më pas e anuloi vizitën.
Përfaqësuesit e lartë të Hamasit gjithashtu nuk pritet të marrin pjesë – një sinjal se rruga drejt paqes së vërtetë është ende e gjatë.
Meqenëse vizita e Trump në Izrael zgjati shumë më tepër se sa ishte planifikuar, udhëheqësit e tjerë në Egjipt u detyruan të prisnin me orë të tëra.
Më shumë se 20 udhëheqës pritet të marrin pjesë në një ceremoni nënshkrimi për të vulosur marrëveshjen midis Izraelit dhe Hamasit, e cila u ndërmjetësua nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. //a.i/