SOFT NEWS – Autokolona e Trumpit bllokon rrugët, Macron drejt OKB-së më… këmbë!

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron përfundoi duke ecur më këmbë nëpër rrugët e Nju Jorkut, pasi makina e tij u detyrua të ndalonte për shkak të kalimit të autokolonës së presidentit amerikan, Donald Trump.
Macron, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe ata që e shoqëronin, vazhduan rrugëtimin më këmbë, pasi makina e tyre nuk mundi të vazhdonte për shkak të bllokimit të rrugës, sipas burimeve pranë presidentit francez.
Macron e telefonoi Trump gjatë ecjes, një bisedë që burimet e përshkruan si “një telefonatë shumë të ngrohtë dhe miqësore, e cila ofroi një mundësi për të diskutuar disa çështje ndërkombëtare”.
Pamjet video nga mbrëmja e së hënës tregojnë se Macronit i thuhet nga një oficer policie se nuk do të jetë në gjendje të kalojë.
Macron shihet më pas duke telefonuar dikë.
“Si je?” thotë ai kur personi tjetër përgjigjet.
“Merre me mend çfarë? Po pres në rrugë sepse gjithçka është e mbyllur për ty”, shton ai.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, masa të rrepta sigurie janë vendosur në lagjen ”Turtle Bay” të Manhattanit.
Rrugë të shumta rreth selisë së Kombeve të Bashkuara në East River janë mbyllur plotësisht, ndërsa të tjerat janë të kalueshme vetëm me leje të posaçme./ /os/