OKB – Erdogan: Njohja e Palestinës nga anëtarët e KS është historike

NJU JORK, 23 shtator /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, përshëndeti vendimet e fundit nga një mori vendesh, përfshirë anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të njohur shtetin e Palestinës, duke e quajtur këtë hap si mjaft të rëndësishëm dhe historik.
Duke folur në një konferencë të OKB-së mbi Palestinën, Erdogan u shprehu urimet e tij vendeve që vendosën të njohin shtetin e Palestinës dhe gjithashtu shprehu shpresën se këto hapa do të përshpejtojnë zbatimin e një zgjidhjeje me dy shtete.
”Masakra e Izraelit në Gaza vazhdon me gjithë dhunën e saj dhe askush që ka ndërgjegje nuk mund të heshtë përballë një gjenocidi të tillë”, theksoi ai, duke shtuar se kauza palestineze sot është bërë një çështje vërtet globale.
”Është e nevojshme tani të shpallet një armëpushim në Gaza, të sigurohet hyrja e papenguar e ndihmës humanitare dhe që Izraeli të tërheqë forcat e tij”, përsëriti Erdogan.
Ai gjithashtu i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve kolone të Izraelit në Bregun Perëndimor, përpjekjet për të detyruar një fakt të kryer në Kudsin Lindor dhe përpjekjet për të përhapur paqëndrueshmëri në rajon.
Qëllimi i qeverisë së Benjamin Netanyahut në Izrael është ta bëjë të pamundur krijimin e një shteti palestinez dhe të zhvendosë me forcë palestinezët sa më shumë që të jetë e mundur, tha presidenti turk.
”Qëllimi i qartë i politikave të thelluara izraelite të pushtimit dhe aneksimit është të shkatërrojë vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe të dëbojë palestinezët”, theksoi Erdogan./ /os/