E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK çon për gjykim 11 të pandehur për kontrabandë nafte dhe korrupsion në Durrës

Nafta e kontrabanduar në Durrës, SPAK dërgon në gjyq 11 të pandehur, përfshirë oficerin e policisë që u kap me ryshfet 10.000 euro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim 11 persona, të përfshirë në një skemë kontrabande nafte, korrupsioni dhe vjedhjeje në Porto Romano, Durrës. Të pandehurit përfshijnë ekuipazhin e një anijeje me flamur tunizian, shtetas shqiptarë dhe një punonjës policie.

Në qendër të dosjes janë akuzat ndaj punonjësit të policisë së Durrësit, Armand Marvataj, i cili akuzohet për “Korrupsion pasiv”, pasi mori 10,000 euro ryshfet për të lejuar vjedhjen e naftës së kontrabanduar që ishte nën ruajtjen e tij.

Skema e kontrabandës dhe vjedhjes

Hetimet e SPAK, të nisura fillimisht nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), kanë provuar se skema kishte dy faza kryesore. Shtetasi Juxhin Koka, në bashkëpunim me kapitenin sirian Mohammad Sallit dhe oficerin e parë Nedio Mejdani, si dhe marinarë të tjerë, organizuan dhe realizuan kontrabandimin e 200 tonë naftë përmes anijes “AYA ZANOYBYA” të ankoruar në Porto Romano. Nafta dhe anija u sekuestruan më 12 janar në kuadër të operacionit policor “Ari i Zi”.

Pas sekuestrimit, shtetasit Juxhin Koka dhe Drilon Malluta i ofruan shumën prej 10,000 eurosh punonjësit të policisë Armand Marvataj, i cili ishte i planifikuar me shërbim për ruajtjen e anijes. Qëllimi ishte lejimi i nxjerrjes së naftës së sekuestruar.

SPAK ka provuar se vjedhja është realizuar në mbrëmjen e 27 janarit 2025, në bashkëpunim me pjesëtarë të ekuipazhit, duke përfshirë inxhinierin dhe marinarët e anijes. Shuma prej 10,000 eurosh u gjet dhe u sekuestrua në banesën e policit Marvataj, si provë materiale e korrupsionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›