E Hënë, 2 Nëntor 2026

“SPAK e eklipsoi Prokurorinë”, Çipa: Pas ikjes së Dumanit, fati i SPAK në duart e legjislatorëve

Analisti Aleksandër Çipa ka komentuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1 raportimin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në komisionin e Ligjeve.

Çipa theksoi se struktura e SPAK-ut ka dëshmuar se mbetet e vetmja shpresë “për të krijuar një mundësi të kontrollit të niveleve të larta të qeverisjes dhe të institucionalizimit të sistemit të drejtësisë…”.

Ai vuri në dukje se në kushtet kur Dumani mbyll mandatin e bën “pesimist opinionin publik sepse fati i mëtejshëm i vetë institucionit mbetet në duart e legjislatorëve”

“Edhe më herët palët politike e kanë parathënë faktin që kjo strukturë e deritanishme ose ndryshe kjo liri e veprimit të këtij institucioni e mbështetur më së shumti nga faktori ndërkombëtar dhe kjo e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit pas amendimeve që u bënë në vitin 2016 mbetet e vetmja shpresë për të krijuar një mundësi të kontrollit të niveleve të larta të qeverisjes dhe të institucionalizimit të sistemit të drejtësisë por në kushtet kur vetë kreu i institucionit të ri e mbyll mandatin dhe nuk pretendon përsëritjen e një mandati të dytë e bën pesimist opinionin publik sepse fati i mëtejshëm i vetë institucionit mbetet në duart e legjislatorëve”, u shpreh Çipa.

Analisti Çipa theksoi më tej se disa prej eksponentëve politikë ku SPAK raportonte për punën e tij, ata janë subjekt i hetimeve të vetë SPAK-ut.

“Madje marrëdhënia e llogaridhënies që pati ky eksponent institucional me legjislatorët të lë shijen e një paradoksi sepse në shumicën e rasteve, disa prej personave ai u jepte llogari në cilësinë institucionale pretendohet të jenë subjekte të ndjekjeve hetimore që zhvillohen prej SPAK-ut. Këtu e kam fjalën për vetë deputetët. Në këtë pikëpamje lind edhe ajo që unë e quaj shija e konfliktit të interesit sepse presupozohet që do ta rregullojnë veprimtarinë dhe funksionalitetin institucional të këtij institucioni që janë pjesë e hetimeve të institucionit që drejton ai. Mbetem në besimin që institucioni i ri i SPAK-ut është i vetmi i garantuar nga pikëpamja kushtetuese për të pasur fuqinë vepruese dhe hetuese në proceset që implikojnë autoritetet e larta”, tha Çipa.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›