E Premte, 6 Nëntor 2026

SPAK kërkon konfiskimin e 16 pasurive të familjes Gjolena, me vlerë mbi dy milionë euro - ATSH -

TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj shtetasve Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe gjashtë personave të tjerë të lidhur me ta, duke kërkuar konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme me vlerë tregu mbi dy milionë euro.

Sipas njoftimit të SPAK, pasuritë e identifikuara përfshijnë apartamente, njësi tregtare dhe garazhe në Tiranë dhe Durrës.

Procedimi pasuror lidhet me hetimet për sekuestrimin e 485,5 kilogramëve kokainë, më 24 nëntor 2022, në fshatin Frakull e Madhe, Fier. Lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial, të trafikuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Në kuadër të këtij hetimi, Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vjet e 4 muaj burgim për veprat penale që i atribuoheshin. Vendimi i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i datës 26 qershor 2024, është lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 30 dhjetor 2024.

Nga hetimet pasurore ka rezultuar se 16 pasuritë janë në zotërim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të dy shtetasve dhe personave të lidhur me ta. Konkretisht, bëhet fjalë për tre apartamente dhe dy garazhe në Tiranë, si dhe tri njësi tregtare e tetë apartamente në zonën e Plazhit, në Durrës.

SPAK bën të ditur se për financimin e disa prej këtyre pasurive janë kryer pesë transferta monetare në vlerën 42 942 dollarë dhe 404 733 euro. Transfertat janë kryer në emër të familjarëve të personave nën hetim dhe kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të njohura si parajsa fiskale.

Sipas aktit të ekspertimit kontabël dhe veprimeve hetimore, personat në fjalë nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e burimeve financiare të përdorura për krijimin e pasurive.

Vlera e pasurive në kohën e nënshkrimit të kontratave vlerësohet në rreth një milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut arrin në mbi dy milionë euro.

SPAK njofton se hetimet vijojnë për gjurmimin, identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e paligjshme kriminale.

Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

/m.m/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›