SPAK përfundon hetimet, dërgon për gjykim 2 shtetas për korrupsion në zgjedhje

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim të procedimit penal, në ngarkim të të pandehurve Pandeli Bozha – i akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe Vladimir Lushkaj – i akuzuar për veprën penale të “Korrupsionit pasiv në zgjedhje”.
Hetimet për këtë procedim penal janë zhvilluar përmes metodave proaktive.
Gjatë procesit hetimor, nga këqyrja e pamjeve filmike dhe veprimet procedurale të autorizuara nga prokurori është dokumentuar një episod i datës 8 maj 2025, rreth orës 10:00, kur shtetasi Pandeli Bozha ka shkuar në banesën e shtetasit Vladimir Lushkaj.
Në këtë takim, Pandeli Bozha i ka futur në xhep një kartëmonedhë dhe i ka treguar një fletë të ngjashme me atë të votimit, duke i sugjeruar emrin e kandidatit për të cilin duhet të votonte.
Pas marrjes në pyetje, shtetasi Vladimir Lushkaj ka dorëzuar pranë oficerëve të policisë gjyqësore kartëmonedhën dhe një fletë të ngjashme me atë të votimit, ku emri i kandidatit për deputet ishte theksuar me ngjyrë portokalli. Këto materiale janë sekuestruar si prova në kuadër të këtij procedimi penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se veprimet e dokumentuara përmbushin elementë të veprave penale të “Korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
/gj.m/j.p/