E Martë, 3 Nëntor 2026

STRASBURG – Kos: Negociatat Shqipëri-BE po ecin mirë, SPAK duhet të ruhet plotësisht

STRASBURG, 8 korrik /ATSH/- Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos iu drejtua sot deputetëve të Parlamentit Evropian me një mesazh të qartë për Shqipërinë, bazuar në raportin e progresit për vitet 2023–2024, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së SPAK-ut dhe përshpejtimit të negociatave për anëtarësim në BE.

“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK – janë hapa pozitivë që janë theksuar në raportin e Parlamentit Evropian”, tha Kos.

“Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fushat kryesore. Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Ky duhet të mbrohet dhe forcohet”, tha komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.

Gjithashtu, Kos u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po avanconin me shpejtësi të madhe, megjithëse ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e pranimit midis Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të shpejtë, siç kemi dëgjuar, me disa arritje të rëndësishme në muajt e fundit dhe të tjera priten në vijim”, tha Kos.

Kjo tregon se Shqipëria është e angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE po vepron në përputhje me qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën Daneze për të mbajtur ritmin. Ne besojmë se dy grupet e mbetura do të hapen gjithashtu sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi komisionerja e BE-së për Zgjerimin.

“Në kontekstin aktual gjeopolitik, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një përparësi gjeostrategjike për BE-në”, theksoi Kos ndërsa përfundoi fjalimin e saj.

Të dy raportet e progresit të Shqipërisë për vitet 2023-2024 do të miratohen nesër. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›