Sala: 15 milionë euro shtesë për rimbursimin e barnave në vitin 2026

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Për vitin 2026 ka rritje të buxhetit me vlerë prej 15 milionë euro dhe po punohet për zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme.
Kështu deklaroi sot, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, duke vënë në dukje se plani strategjik për vitin 2026 mbështetet në 3 shtylla kryesore.
Sipas saj, shtylla e parë është shtimi i barnave inovatore në listën e rimbursimit duke garantuar akses më të gjerë për pacientët me patologji onkologjike dhe hematologjike.
“Synimi është që pacientët shqiptarë të kenë trajtime të krahasueshme me ato të vendeve të Bashkimit Europian. Së dyti, rritja e sasive të barnave ekzistuese në listë për të shmangur mungesat e herëpashershme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në vijueshmërinë e trajtimit, kjo do të shoqërohet me mekanizma të rinj monitorimi dhe planifikimi në bashkëpunim me QSUNT dhe depot farmaceutike rajonale”, tha Sala.
Së treti, vijoi Sala, është hapja e kufizimeve në fond për disa patologji onkologjike duke rishikuar kriteret aktuale të përfshirjes së pacientëve në skenën e rimbursimit.
Ministrja Sala bëri të ditur se “ky proces do të mundësojë më shumë pacientë të përfitojnë nga trajtimet moderne pa pengesa burokratike”.
“Gjithashtu është parashikuar shtimi i molekulave të reja për patologjitë hematoonkologjike dhe tumoret solide në përputhje me protokollet europiane të trajtimit duke u bazuar në evidencë shkencore”, tha Sala.
/k.s/j.p/