Sala: Asnjë rritje e çmimit të barnave në 2026-ën

TIRANË, 5 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi sot në një konferencë për mediet se nuk do të ketë rritje të çmimit të barnave në vend gjatë vitit 2026.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve nëse lista e barnave të rimbursueshme do të publikohet brenda muajit mars, si dhe nëse farmacitë janë njoftuar nëse do të ketë barna të reja, ministrja theksoi se procesi është në përmbyllje dhe se prioritet mbetet forcimi i shërbimit onkologjik në të gjithë vendin.
“Barnat onkologjike janë ato që kemi pasur në vëmendje prioritare në kuadër të të gjithë shërbimit onkologjik në vend. Kemi siguruar 15 milionë euro më shumë këtë vit për rimbursimin e barnave. Do të ketë zgjerim të listës dhe do të ketë më pak kufizime”, u shpreh ajo.
Ministrja sqaroi se përcaktimi i listës së barnave të rimbursueshme bëhet përmes një metodologjie të caktuar, mbi baza teknike dhe me transparencë të plotë, në bashkëpunim me grupet e ekspertëve.
Sipas saj, qëllimi është garantimi i aksesit sa më të gjerë për pacientët, veçanërisht për ata që trajtohen për sëmundje të rënda, duke mbështetur financiarisht terapitë e kushtueshme përmes skemës së rimbursimit.
Sala theksoi se pavarësisht zgjerimit të listës dhe rritjes së buxhetit për rimbursimin, nuk do të ketë rritje të çmimeve të barnave gjatë vitit 2026, duke garantuar rritje të shërbimit shëndetësor për qytetarët dhe sistemin shëndetësor.
e.xh/j.p/