E Diel, 1 Nëntor 2026

Sala: Ngremë Qendrën e Gjirit në QSUNT, trajtim multidisiplinar për pacientet

TIRANË, 5 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala gjatë bashkëbisedimit me gazetarët u ndal tek vendimi i miratuar një ditë më parë në bordin e  Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ngritjen e Qendrës së Gjirit.

“Kjo qendër do të krijojë kushte për trajnimin me qasje multidisiplinare për pacientet e prekura nga kanceri i gjirit. QSUNT ka staf të trajnuar dhe ka realizuar ndërhyrjet e para për rikonstruktimin e gjirit përmes protezave të financuara nga buxheti i shtetit”, tha Sala.

Ministrja Sala u shpreh se “kjo i paraprin qasjes sonë për të mbuluar rastet e vajzave dhe grave që kryejnë heqjen e gjirit duke lehtësuar jo vetëm traumën fizike, por traumën psikologjike përmes vendosjes së menjëhershme të protezave”.

“Në kuadër të ngritjes së Institutit Kombëtar të Tumoreve po vlerësohet gjithashtu rikonstruksioni i plotë i godinës  së Spitalit Onkologjik. Një hapësirë e dedikuar brenda këtij spitali do të shërbejë për studimet klinike dhe kjo do mundësojë edhe futjen e barnave inovatore pa ndikim financiar”, tha Sala.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›