Balla: Reforma zgjedhore do të trajtohet nga Kuvendi i ri

TIRANË, 8 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, deklaroi sot se çështjet që lidhen me reformën zgjedhore do të adresohen nga legjislatura e re që nis punën më 10 shtator.
“Sa i përket çështjeve që lidhen me reformën zgjedhore, do të jetë Kuvendi i ri që do t’i adresojë”, u shpreh Balla duke komentuar rezolutën e Parlamentit Evropian pvr Shqipërinë ku preket kjo çështje.
Raporti vjetor i PE për Shqipërinë, i hartuar nga eurodeputeti austriak Andreas Schieder, u diskutua në seancë plenare të Parlamentit Europian dhe pritet të miratohet nesër me një shumicë bindëse votash.
Balla shprehu mirënjohje për grupet e mëdha politike në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian për mbështetjen e qartë të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces”, theksoi Balla. /j.p/