E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla: Mbi 600 mijë koshere bletë në 2025-ën, synimi 1 milion deri në 2027-ën

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Ushqimin, deklaroi se numri i koshereve në Shqipëri ka arritur mbi 600 mijë në vitin 2025, duke u dyfishuar nga rreth 300 mijë në vitin 2020.

Ministri Salla nënvizoi se gjatë takimeve dëgjimore me fermerët, janë mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme për të bërë ndryshime në buxhet për të përmbushur kërkesat e fermerëve, veçanërisht në sektorët e blegtorisë dhe bletarisë.

“Fermerët na kanë kërkuar që mbështetja për çdo koshere të rritet nga 1000 lekë në 2000 lekë. Ky është një sektor delikat, ku çdo koshere e humbur nuk mund të rikuperohet menjëherë. Mbështetja e shtuar synon të dyfishojë aktivitetin bletar dhe të garantojë që ky sektor jetik të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme”, tha ministri Salla.

Ai shtoi se synimi është që deri në vitin 2027 numri i koshereve të arrijë 1 milion, duke rritur produktivitetin dhe përfitimet për bletarët. Përveç kësaj, për çdo kilogram të prodhimit të bletëve që shitet, fermerët do të përfitojnë 10% të autofaturave, duke mbyllur një hallkë të rëndësishme të skemës kombëtare mbështetëse.

Ministri theksoi se është ngritur një grup pune për të shqyrtuar të gjitha sugjerimet e marra nga fermerët, duke synuar thjeshtimin e procedurave dhe rritjen e pagesave për përfituesit, në mënyrë që Skema Kombëtare të reflektojë më mirë nevojat reale të sektorit të bletarisë dhe blegtorisë.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›