E Hënë, 2 Nëntor 2026

Samiti i Brdo-Brijunit në Shqipëri, Spiropali: Plani i Rritjes përshpejton afrimin ekonomik e social me BE


TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali pritën mbrëmjen e sotme krerët e shteteve pjesëmarrës në Procesin e Brdo-Brijunit, të cilët mbërritën në Tiranë në kuadër të Samitit dyditor që do të nisë nesër në Golem.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, theksoi se samiti mbahet në një moment domethënës për Shqipërinë, teksa rajoni ynë ka në duar instrumentin financiar që përshpejton afrimin ekonomik dhe social me BE-në, Planin e ri të Rritjes.

Gjatë samitit, në fokus janë çështjet rajonale, proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimi ndërmjet fqinjëve, politika për fuqizimin e rinisë dhe mbajtjen e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Përveç seancës plenare dhe konferencës për shtyp, ku Presidenti Begaj do të marrë pjesë së bashku me homologët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shtetet bashkëkryesuese të Procesit të Brdo-Brijunit, janë planifikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve pjesëmarrës.

Samiti pritet të përmbyllet me konkluzione që do të japin shtysë për rritjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse dhe progresin e tyre në rrugën drejt integrimit evropian.

Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia janë pjesë e Procesit të Brdo-Brijunit, iniciativë e vitit 2010 e Sllovenisë dhe Kroacisë, dy shtete anëtare të BE-së. /j.p/

1 nga 8

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›