E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sarkozi: BE, një qëndrim për Kosovën

Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që "fuqishëm dhe i bashkuar" ta mbështesë zgjidhjen e vetme të zbatueshme për Kosovën. "Status quo-ja nuk është më opsion i qëndrueshëm, ndërsa të gjitha mundësitë për bisedime janë shteruar dhe nuk kanë dhënë kurrfarë rezultati", tha Sarkozi në një takim tradicional me përfaqësuesit e trupit diplomatik në Paris. "Bashkimi Evropian duhet ta zbatojë fuqishëm dhe i bashkuar zgjidhjen e vetme të realizueshme, e cila është në tryezë", ka thënë ai.

SHBA

SHBA-të do të pranojnë pavarësinë e Kosovës menjëherë pas shpalljes së saj nga institucionet e Kosovës, dhe, besoj se kjo do të ndodhë pas raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi", ka thënë zv/ndihmëssekretarja e Shtetit, Rozmari Di Karlo, në një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Zv/ndihmëssekretarja e Shtetit, Rozmari di Karlo, ka shtuar se në Mitrovicë do të jenë të vendosur ushtarët amerikanë, gjermanë dhe francezë, andaj tërësia territoriale e Kosovës nuk do të rrezikohet është shprehur Di Karlo.

Ministri serb

Ministri për Kthim dhe Komunitetet në qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviç, thotë se përparësi e punës së tij është kthimi i serbëve të zhvendosur në qytetet e Kosovës, meqë deri tani nuk është punuar në katër projekte. Në një intervistë dhënë për "Zërin e Amerikës", ministri Stankoviç thotë se nuk e dëgjon Beogradin, por angazhohet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e sistemit në Kosovë. Përparësitë në vitin 2008 do të dallohen nga përparësitë e ministrisë së mëparshme, meqë kemi përgatitur një projekt urban që deri tani nuk ka pasur. Pra krahas kthimit individual dhe kolektiv, do të punojmë edhe në projektet urbane.

Meqë situata politike, mund të them lirisht se është zbutur në këtë periudhë dy apo trevjeçare, janë krijuar kushtet që të fillojmë edhe me projektet urbane. Mendoj se për këtë do të kemi mbështetjen e plotë të qeverisë së Kosovës dhe tërë komunitetit ndërkombëtar. Edhe pse ende nuk janë krijuar kushtet e duhura, Stankovic thotë se do të fillohet me një projekt provë në kryeqytet dhe atje ku mendojmë se mund t‘i kthejmë njerëzit që janë ndjekur dhe e kanë lëshuar Kosovën në vitin 1999. Mendoj se krahas Prishtinës, do të jenë edhe Mitrovica, Gjilani, Peja dhe Prizreni. Këto janë qytetet ku janë krijuar kushtet për kthim, pra për kthim në zonat urbane për të cilat po flas. Duke folur lidhur me trysnitë në punën e tij si ministër në qeverinë e Kosovës, ministri Boban Stankoviç ka thënë se si në çdo punë dhe veçanërisht në këtë post, ka trysni të ndryshme. "Ju e dini se qeveria e Serbisë ka bërë thirrje që të mos dilet në zgjedhjet e fundit. Ne kemi dalë. Unë jam anëtar i Partisë së Pavarur Liberale dhe kemi vendosur të marrim jetën tonë në duart tona dhe për këtë çështje nuk e dëgjojmë shumë Beogradin, sepse nuk e di Beogradi se si e kemi ne këtu nga një largësi prej 400 kilometrash. Ne jemi të vetëdijshëm se në çfarë drejtimi po shkon shoqëria e Kosovës dhe duhet t‘u përshtatemi kushteve në të cilat jetojmë dhe duam integrimin në të gjitha institucionet e sistemit në Kosovë", ka thënë mes tjerash ministri për Kthim dhe Komunitetet në qeverinë e Kosovës, Boban Stankoviç, në një intervistë për "Zërin e Amerikës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›