Ofensiva ruse në turizmin e Malit të Zi
Investimet direkte ruse në Mal të Zi janë dukshëm më të mëdha se në cilindo vend tjetër të ish-bllokut socialist. Ky është përfundimi që ka arritur Drejtoria e Përgjithshme për Politikën e Jashtme të BE-së. Por, megjithatë, këto investime nuk janë aq të mëdha se nënvizohet shpesh nëpër media. Në raportin e bërë për shkak të deklaratave, se rusët shpesh lajnë paratë nëpërmjet Malit të Zi, thuhet se biznesmenët rusë janë më të pranishëm në industrinë e hotelerisë dhe blerjen e pasurive të paluajtshme. Një pjesë e kapitalit rus ka arritur në Mal të Zi nëpërmjet vendeve të treta, si Britania e Madhe, Qipro, Zvicra, si dhe nga destinacione botërore off shor, si dhe nëpërmjet firmave vendase. Nga takimi i vitit të kaluar mes Presidentit rus Putin e ish- kryeministrit Millo Gjukanoviç mund të mësohet, se investimet e përgjithshme ruse në Mal të Zi e kanë kaluar vlerën e 2 miliardë dollarëve, që do të thotë se Mali i Zi i kalon të gjitha vendet e Evropës Juglindore në tërheqjen e kapitalit rus.
Strategjia që prej vitit 2004
Rruga e investitorëve rusë është hapur në fund të vitit 2004, kur mes qeverisë së Malit të Zi dhe qeverisë së Moskës u nënshkrua marrëveshja me mjaft përmbajtje, që mbante titullin: Mali i Zi, perspektivat e bashkëpunimit.
Millo Gjukanoviç pati theksuar për gazetën moskovite "Novostima", kënaqësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer.
Rusët në Republikën tonë (Mal të Zi) bëjnë pjesë në rrethin e miqve me të cilët nuk ka probleme me vizat, nuk ka as pengesa gjuhësore e kulturore. Falë investimeve ruse, Mali i Zi do të mund t‘i kapërcejë më shpejt vështirësitë ekonomike në të cilat ranë të gjitha vendet e Ballkanit gjatë viteve ‘90.
Realizimi i këtij plani filloi në bisedimet e Gjukanoviçit me Oleg Deripaskën, zyrtarisht rusi më i pasur. Deripaska u bë pronari i shumicës së aksioneve të Kombinatit të Aluminit dhe Minierës së Boksiteve në Nikshiç. Pagesa e këtij biznesi përfshinte edhe subvencionet e garantuara për energjinë elektrike, që qeveria e Gjukanoviçit i dha Deripaskës. Deripaska deshi ta çimentojë punën me blerjen e termocentralit dhe minierës së qymyrit në Plevla, por kjo dështoi në momentin e fundit, për shkak të kundërshtimit të opinionit vendas.
Në bisedimet për zhvillimin e turizmit malazez, që u bënë në kryeqytetin rus, Gjukanoviç lajmëroi planin ambicioz, që ia paraqiti kryebashkiakut të Moskës Jurij Lushkov, "sipas të cilit, për dy vite, numri i turistëve rusë do të arrinte në 50% të numrit të përgjithshëm të të huajve që vizitojnë Malin e Zi". Në fakt, plani akoma nuk është realizuar. Turistët nga Rusia në sezonin e vitit 2007 kapën 9,1% të numrit të përgjithshëm.
Por shtetas rusë u bënë banorë të qyteteve bregdetare malazeze dhe pronarë të shumë pasurive. Mali i Zi i pavarur u bë i lakmueshëm dhe adresë për zhvillimin e biznesit, sidomos në ndërtim e në tregtinë e pasurive të paluajtshme. Numri i agjencive ruse që merren me këtë punë në Mal të Zi është gjithnjë e më i madh. Pjesën më të madhe të kapitalit, që vjen nga Federata Ruse, investohet në industrinë e hotelerisë.
"BELONI" i fuqishëm rus në Ulqin
Struktura e pronësisë mbi hotelet ekzistuese në bregdetin malazez, të atyre në ndërtim dhe atyre në plan ndërtimi, është e tillë që kapitali rus për momentin ka rol drejtues në këtë degë të ekonomisë së Malit të Zi. Pjesa më e madhe e hoteleve nga Ulqini deri në Herceg Novi, janë në pronësi të kompanive e pasanikëve rusë.
Në duart e tyre është edhe pjesa më e madhe e vendeve tërheqëse në bregdet, të destinuara për fshatra e komplekse të reja turistike. Miliarderi rus, Andrej Dobrov, drejtor i përgjithshëm në Korporatën Ruse "BELON-group", gjigante në prodhimin e qymyrit dhe metalurgjisë së zezë, nga Novosibirska, ka blerë kompleksin hotelier të Ulqinit "Grand-Lido", në vitin 2006, për 10,8 milionë euro. Ky është deri tani, çmimi më i paguar për ndonjë objekt të privatizuar të hoteleve malazeze. Hotel "Lido" shtrihet në 96000 metra katrorë në plazhin e madh të Ulqinit.
"Kapital Estejt", firmë e Dobrovit në Budva, planifikon ta prishë "Lido"-n dhe në vend të tij të ndërtojë një hotel të rrjetit elitë "Hillton". Ndërsa pronare e "Otrantos" së Ulqinit është kompania ruse "Barkli SK-Montengro". Vlera e investimit në hotelin e ri, hapja e të cilit planifikohet për vitin 2009, kap rreth 20 milionë euro. Pronarët kanë nënshkruar një marrëveshje me kompaninë spanjolle "Iberostar hotels-resorts" për administrimin e këtij hoteli në dhjetë vitet e ardhshme. Rajoni i komunës turistike malazeze më jugore, është interesant për rusët, të cilët kanë blerë këtu para disa kohësh 29 shtëpi në vendbanimin Liman.
"Sheraton" në Beçiç
Krahas hoteleve "Splendid", në Beçiç, është planifikuar ndërtimi i hotelit më të madh e luksoz me licencën e "Sheratonit". Investitor është kompanía e njohur "BELON-group" e Andrej Dobrovit.
Në Budva është e pranishme kompania ruse "Metropol", pronar dhe drejtor i së cilës është Mihail Slipçenk.
Në ishullin Zavale, miliarderi më i ri rus, Sergej Polonski, nëpërmjet kompanisë së tij "Mirax", po investon në ndërtimin e një hoteli me 30 kate.
Oligarkët rusë kanë blerë parcelat më të mëdha në gadishujt Lushtiq e Zhanjicë.
Ndër personalitetet e rëndësishme ruse që kanë pasuri në Herceg Novi janë dhe kryebashkiaku i Moskës, Jurij Lushkov.
Kompania e tij Lushtreca ka blerë me emrin e gruas së tij 30 mijë metra katrorë, firma "Eurolend" pas të cilit thuhet se është familja e kandidatit për postin e Presidentit rus Dimitrij Medvedev etj.