Kriminalitet malazez në liqenin e Shkodrës
Liqeni i Shkodrës, për shumicën e malazezëve shihet si pasuri natyrore, por ka dhe një grup njerëzish që e përdorin vetëm për vënien e pasurisë ilegale.
Nga gjuetia e paligjshme dhe shfrytëzimi i fondit të peshkut të liqenit më të madh, persona të veçantë fitojnë deri në 10000 euro në ditë, ndërsa mesatarja mujore e fitimit nga gjuetia legale shkon deri 300-400 euro.
Banorët vendas në brigjet e liqenit, që jetojnë kryesisht me peshq, ankohen se nga gjuetia e paligjshme nuk po arrijnë të sigurojnë mjetet e jetesës.
Ata thonë se gjuetarët e paligjshëm vrasin sasi të mëdha peshku, në mënyrë të tillë, sa ndikojnë në pakësimin e fondit të peshkut të liqenit, duke bërë që të mos mbetet gjë për ata që gjuajnë në mënyrë të ligjshme.
Banorët nuk janë të kënaqur me administrimin e liqenit nga Parku Kombëtar (Nacionalni park) e liqenit të Shkodrës.
Parku Kombëtar nuk është prezantuar si shoqëri e organizuar. Gjuetia e paligjshme akoma ekziston dhe është fakt se fajtorët më të mëdhenj janë rojet, konstatojnë banorët vendas.
Në Parkun Kombëtar nuk mohojnë se ka gjueti të paligjshme. Thonë se po përpiqen ta zgjidhin këtë problem, por nuk kanë aq njerëz të kualifikuar e mjete teknike.
Agregatët dhe ndotja
Shqetësimin më të madh rojeve të liqenit ua shkaktojnë keqbërësit që gjuajnë peshq me agregatë të ashtuquajtur "me goditje". Gjuetia me agregatë ka marrë shtrirje prej disa vitesh, që kur çmimi i tyre ra nga 350 në 70, deri 80 euro.
"Keqbërësit nuk i kanë humbjet të mëdha, nëse mbeten pa agregatë. Nëse realizojnë një fitim ditor 100 ose 300 euro, nuk është minus i madh", thotë Zoran Mërdak, drejtor i Parkut Kombëtar të liqenit të Shkodrës.
Gjuetia me "goditje" është shumë e përhapur, për shkak të sasisë së peshkut që mund të gjuhet në këtë mënyrë. Me "goditje" mund të kapësh menjëherë një ton deri një ton e gjysmë peshk, thotë Mërdak. Duke pasur parasysh se çmimi i peshkut të liqenit për krap, ngjalë, gjuhcë, shkon deri në 10 euro për kg, grupi i keqbërësve, me një dalje në liqen mund të fitojnë deri 10 mijë euro.
Drejtori i Parkut Kombëtar e përshkruan gjuetinë e paligjshme si formë e krimit të organizuar. Gjuetia e paligjshme nuk mund të bëhet me një varkë, por duhet një grup i organizuar njerëzish.
Të gjithë kanë lidhje shoqërore ose miqësore. Si shembull shërben grupi i rajonit të Bllatës së Vogël, i cili ka dhe sinjalizuesit e tij. Ata lajmërohen kur rojet tona ose policia nisin aksionin. Kapja e tyre të kujton filmat amerikanë me aksion.