Juve: Melberg menjëherë, Diego në qershor
Javët e ardhshme parashikohen të jenë decizive për Juventusin. Objektivi i vendosur për kampionatin është që skuadra të mos humbasë më terren kundrejt Interit dhe Romës, por edhe të mbajë një distancë sigurie nga Fiorentina, Udineze dhe Milan. Ndërkohë, në merkato janë përshpejtuar bisedat për të afruar një mbrojtës dhe po punohet për afrimet e sezonit të ri.
MELBERG: I menduar për t‘u afruar në qershor, suedezi i nevojitet menjëherë skuadrës. Pas dëmtimit të Kielinit dhe shitjes së Krishitos, brenda pak kohe 30-vjeçari i Aston Vilës është shndërruar në një lojtar të domosdoshëm. Të hënën, Alesio Seko do të fluturojë drejt Birmingamit për të bindur drejtuesit e klubit britanikë që të lejojnë largimin e menjëhershëm të suedezit. Bardhezinjtë nuk dëshirojnë që të shpenzojnë më shumë se 1 milion euro për të marrë gjashtë muaj përpara afatit Melberg, që në verë do të transferohej me parametër zero. Nëse përgjigja e Aston Vilës do të jetë negative, Juve ka bërë gati një alternativë: bëhet fjalë për kroatin e Milanit, Dario Simiç, që nuk po gjen më vend në ekipin e Ançelotit.
TIAGO: Pasi ishte tërhequr në mënyrë të papritur, Totenhemi është rikthyer në garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit portugez. Vlerësimi i bërë nga Juventusi është 13 milionë euro (paratë e shpenzuara gjatë verës), shumë që "Hotspurs" tashmë duken të gatshëm t‘i paguajnë. Lajmi është bërë i ditur nga tabloidi "The Sun", sipas të cilit më në fund trajneri Huande Ramos është bindur se një lojtar si Tiago do t‘i bënte shumë punë. Në garën për portugezin është edhe Atletiko e Madridit, por spanjollët, që e cilësojnë si zëvendësues të denjë të Manike, dëshirojnë ta marrin vetëm në formë huazimi.
SISOKO: Mesfushori i Liverpulit duket gjithmonë e më afër. Juventusi ka përgatitur një çek prej 10 milionë eurosh për ta marrë menjëherë. Anglezët nuk kanë lëvizur asnjëherë nga kërkesa për 15, por me 12 milionë marrëveshja mund të mbyllej menjëherë. Benitez është bindur që të lejojë lojtarin nga Mali të largohet dhe për Sisokonë është gati kontrata 4-vjeçare me 2,5 milionë euro rrogë në sezon.
DIEGO: Këto janë ditë të rëndësishme edhe për Diegon. 22-vjeçari i Verder Bremenit është futbollisti që mund të ndihmojë skuadrën në hopin cilësor. Braziliani është objektivi kryesor i Ranierit, që për sezonin e ri ka premtuar "një lojtar të klasit botëror". Gjermanët pretendojnë 30 milionë euro, ndërsa Juve është gati të paguajë 20 milionë.