SOFT NEWS – Pablo, maçoku që i mbijetoi mrekullisht ciklit 55-minutësh të lavatriçes

NORTH RYTE (Australi), 11 korrik /ATSH/ – Maçoku Pablo nuk gjendej gjëkundi.
Familja e tij e kishte kërkuar për më shumë se një orë. Çdo cep i shtëpisë ishte kontrolluar. Pastaj një zhurmë metalike, pasi lavatriçja po përfundonte ciklin e saj, dhe brenda, i lagur dhe duke u dridhur, ishte Pablo, shkruan la stampa.it.
Ajo që familja nuk mund ta imagjinonte ishte se maçoku birman kishte rënë në gjumë brenda lavatriçes tashmë të mbushur, i fshehur midis rrobave, dhe kishte duruar një cikël të tërë larjeje me ujë të ftohtë.
Pesëdhjetë e pesë minuta.
Tre mijë rrotullime. Një përvojë e vështirë që asnjë mace nuk mund ta durojë kurrë.
Gjendje kritike
Sipas spitalit për kafshët e vogla në North Ryde, Australi, besohet se Pablo u fut fshehurazi në lavatriçe kur ajo ishte e hapur dhe joaktive, duke kërkuar një cep të ngrohtë dhe të qetë për një sy gjumë. Megjithatë, pak më vonë, një anëtar i familjes, pa e ditur, e ndezi lavatriçen.
Sapo u zbulua incidenti, Pablo u dërgua me urgjencë në spital dhe u shtrua në kujdes intensiv: gjendja e tij ishte e dëshpëruar.
“Ai ishte ndoshta në gjendjen më të rëndë që kam parë në një rast si ky prej një kohe të gjatë. Jo shumë njerëz kanë parë mace që kalojnë nëpër një cikël të plotë lavatriçeje dhe mbijetojnë”, zbulon veterinerja Ella Yarsley.
Një javë kujdes intensiv
Pablo mbërriti në spital me një dëmtim në tru dhe probleme me mushkëritë të shkaktuara nga stresi mekanik dhe uji i ftohtë nga larja.
Për shtatë ditë rresht, ai iu nënshtrua kujdesit intensiv 24-orësh. Veterinerët e trajtuan me ilaçe specifike dhe e monitoruan vazhdimisht, ditë e natë.
Ishte një rast delikat, por Pablo nuk u dorëzua: kundër të gjitha parashikimeve, macja filloi të reagonte pozitivisht.
Ditë pas dite, ai rifitoi forcën, filloi të lëvizte më shumë dhe iu përgjigjej përkëdheljeve.
Deri në fund të javës, Pablo ishte shëruar plotësisht, megjithëse me disa lëndime të vogla të mbetura.
Është një mrekulli që ai është gjallë.
Një shenjë e vogël… dhe një mësim i madh
Pablo pësoi lëndime të lehta në një nga këmbët e pasme dhe në majë të bishtit të tij, por iu rikthye shëndetit. Sot, ai është dukshëm i shëndetshëm, sytë e tij janë vigjilentë, gëzofi i tij shkëlqen.
Por, duke ndarë historinë e tij, ekipi veterinar donte gjithashtu t’u dërgonte një mesazh të qartë të gjithë pronarëve të kafshëve shtëpiake.
“Mund të jetë e lehtë që kafshët shtëpiake, veçanërisht macet, të futen fshehurazi në lavatriçe, frigoriferë, tharëse dhe pajisje të tjera. Është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi publik për rreziqet e këtyre vendeve të dashura për strehimin e maceve. Është gjithmonë më mirë të kontrolloni përpara se të shtypni butonin e ndezjes”, tha ai./ /os/