Serbët zgjedhin Boris Tadiç dhe Evropën
Me votimin e kandidatit pro perëndimor për President, Boris Tadiç, serbët treguan se dëshirojnë të shkëputen nga e shkuara nacionaliste dhe t‘i hedhin sytë drejt Bashkimit Evropian. Tadiç fitoi më shumë se 50% të totalit të votave, ndërsa kandidati ultraradikal, ish-zëvendësministri i Millosheviçit, gjatë spastrimit etnik të Kosovës, u ndal në kuotën 47%.
Gjatë gjithë natës, mbështetësit e Tadiçit festuan duke demonstruar rrugëve të Beogradit me flamuj të Bashkimit Evropian, të Partisë Demokratike si edhe të Serbisë.
Gjatë ditëve që i paraprinë sidomos raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, Brukseli i kishte luajtur të gjitha kartat e mundshme: për të bindur të lëkundurit premtoi liri lëvizjeje në territoret e të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe masa për të favorizuar këmbimet ekonomike e tregtare. Marrëveshja e përkohshme do të nënshkruhet pas dy ditësh. Sikurse thotë Dimitrij Rupel, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, vendit që mban Presidencën e radhës së BE-së, Serbia është në tre të katërtat e rrugës për t‘u bërë pjesë e Evropës, megjithëse mbetet ende vetoja e Belgjikës dhe Holandës, të cilat vazhdojnë të këmbëngulin mbi dorëzimin e munguar të kriminelëve të luftës Ratko Mladiç e Radovan Karaxhiç, përgjegjës për kasaphanën e Srebrenicës.
Gjithsesi nuk artikulohet asnjë fjalë pozitive mbi të ardhmen e pavarësisë së Kosovës: që të dy kandidatët e kishin bërë të qartë vullnetin kundër deklarimit të afërt të mëvetësisë, ndërkohë që ajo që e bën Tadiçin pro perëndimor është vetëm fakti se nuk ka shprehur tone të ashpra.
Gjithashtu mes rreshtave duhet lexuar edhe qëndrimi i Vatikanit në takimin mes Papa Benediktit dhe Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Nga të dhënat që iu servirën shtypit mbi temat që u prekën në takim, mësohet se Papa ka parapëlqyer të ruajë të drejtën e heshtjes përpara një pike aq të nxehtë sa ç‘është pavarësia. Sipas "Radio Vatikanit" takimi u krye në një çast shumë delikat për të ardhmen e Kosovës, mbi të gjitha në mënyrë që Papa Benedikti t‘i shprehte Presidentit Sejdiu ndjenjat e ngrohta karshi popullit kosovar, "ku krishterimi është i pranishëm që në shekujt e parë të erës sonë".
"E pavarur përpara bombardimeve të NATO-s"
"Që përpara bombardimeve të NATO-s", u tha dje shkrimtarja serbe Jasmina Tesanovic gazetarëve të së përjavshmes italiane "Panorama", "shqiptarët e Kosovës nuk votonin në asnjë zgjedhje dhe nuk pranonin të bëheshin pjesë e asnjë nisme politike me rrënjë në Serbi. Praktikisht Kosova është e pavarur që nga viti 1999: E dinë që të gjithë, por askush nuk guxon ta thotë me zë të lartë, përveç Ceda Jovanoviç, i partisë së vogël LPD, e cila e ka pranuar realitetin". Për të përjavshmen "Panorama", "prova kryesore për Presidentin e sapozgjedhur Boris Tadiç, do të jetë mënyra se si do ta menaxhojë shpalljen e afërt të pavarësisë, e cila sipas Kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, është fare pranë.
Serbët e lodhur i hedhin sytë nga kampioni i tenisit
Është ky titulli i djeshëm i artikullit të publikuar në të përditshmen italiane "Il Giornale", e cila vëren se nuk ishte as Presidenti i sapozgjedhur Boris Tadiç dhe as radikali Nikoliç, njerëzit që arritën të grumbullonin më shumë njerëz në shesh, por një tenist serb, Novak Xhokoviç, me t‘u kthyer në atdhe pas suksesit në Turneun e Australisë. Fitore, e cila sipas së përditshmes italiane, u përjetua nga serbët në të njëjtën mënyrë siç u përjetua nga gjermanët fitorja e Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 1954.
Serbët shohin drejt Bashkimit Evropian
Agjencia e shtypit "Associated Press" vërente në artikullin e djeshëm mbi zgjedhjet në Serbi se pjesa më e madhe e popullatës kërkon të vazhdojë reformat properëndimore dhe të afrohet edhe më tej me Bashkimin Evropian, në vend të kthimit te nacionalizimi i verbër dhe izolimi që ka karakterizuar epokën e Millosheviçit. Njëherësh, nënvizon artikulli, "mundja e Nikoliçit do të zbusë gjithashtu edhe frikën e Perëndimit se Serbia mund të reagojë dhunshëm ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e cila pritet të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim". Ndërsa është shprehur se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, Tadiç ka thënë se Bashkimi Evropian është e vetmja alternativë e Serbisë. Në të kundërt të Nikoliçit, i cili është shprehur se duhej t‘i kthenin shpinën Bashkimit të Urryer Evropian dhe të shihnin drejt Rusisë së dashur. Në artikull citohet Mladan Dinkiç, lider i partisë properëndimore (aleat i Tadiçit), i cili është shprehur se tani rizgjedhja i garanton legjitimitetin e plotë për ta drejtuar vendin nga Bashkimi Evropian: "Askush nuk ka më shanse që t‘i vërë më shkopinj nën rrota, pasi qytetarët i legjitimuan të drejtën e shtyrjes më afër BE-së".
BE-ja përgëzon Boris Tadiç
Menjëherë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, Bashkimi Evropian nxitoi të përgëzonte Presidentin e sapo rizgjedhur, Boris Tadiç. "Bashkimi Evropian mirëpret faktin që serbët treguan se mbështetën rrugën drejt demokracisë dhe drejt Evropës", shkruhej në një deklaratë zyrtare të vendeve të BE-së. Ndërkaq, sipas "Associated Press" votuesit në Beograd mendojnë se rezultati i votimeve është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit. "Kemi arritur të rimëkëmbemi në një farë mase dhe nuk duhet kurrsesi të bëjmë hapa prapa", u tha gazetarëve Dushan Andjiç, një avokat 40-vjeçar, i cili votoi për Boris Tadiç. "Kjo për vendin tonë është vërtetë një çështje për jetë a vdekje".