E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi nuk po luan blof

Disa prej mediave evropiane citojnë deklaratën e së premtes dhënë nga Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, menjëherë pas takimit me zyrtarë të lartë të policisë, sipas të cilit "zhvillimet në Serbi nuk ndikojnë në të ardhmen e Kosovës". Për numrin një të ekzekutivit, "Kosova do ta shpallë pavarësinë vetëm pas pak ditësh, pavarësisht kush i fiton zgjedhjet presidenciale, Tadiçi apo Nikoliçi".

Disa media citojnë përsëri një diplomat të rangut të lartë, i cili, nën cilësinë e anonimatit, të premten është shprehur që "në rast se fiton Nikoliç, pavarësia do të shpallet më datë 9 ose 10". Një tjetër burim konfirmoi se në rastin e fitimit të zgjedhjeve nga ana e Boris Tadiçit, kosovarët mund të presin edhe një javë tjetër për të bërë deklaratën, me shumë gjasa më 17 shkurt.

Pavarësi e mbështetur nga Perëndimi, e kundërshtuar nga Rusia

Rrjeti gjerman, "Deutsche Welle", nënvizon se plani i shqiptarëve të Kosovës për të shpallur njëanshmërisht pavarësinë mbështetet me forcë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian. Deklarata e pavarësisë kundërshtohet me ngulm nga Rusia dhe Serbia, të cilat paralajmërojnë për trazira në atmosferën e brishtë të Ballkanit, në rast se Kosova vepron pa miratimin e të gjitha palëve.

Në rast se Tadiç fiton zgjedhjet e së dielës - vazhdon "Deutsche Welle" - me shumë gjasa Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do t‘i kërkojnë Kosovës të vonojë ditën e shpalljes së pavarësisë deri në fund të shkurtit, për t‘i dhënë mundësi Tadiçit të qetësojë stuhinë politike që do të shkaktojë për serbët humbja e Kosovës.

Thaçi nuk po luan blof

Për "EuroNews" Kryeministri Thaçi "nuk po luan me blofin". Të mërkurën pati një takim me krerët e forcave mbrojtëse kosovare, një trupë policore e përbërë në pjesën më të madhe nga ish-luftëtarë kosovarë. Qëllimi i takimit: organizimi i detajuar i ceremonive të ditës së shpalljes së pavarësisë, data e së cilës, megjithëse shumë e afërt, nuk artikulohet ende me saktësi. "EuroNews" vazhdon duke komentuar se bëhet fjalë për një demonstrim dhëmbësh ndaj Beogradit, por pa e kaluar masën.

NATO përgatitet për reagime pas deklaratës

Duke iu druajtur reagimeve të ashpra pas deklaratës së afërt të pavarësisë, forca paqeruajtëse e NATO-s, e përbërë nga 16 mijë trupa, është vënë në gjendje alarmi për trazira të mundshme, ndërkohë që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, gjatë një takimi më 18 shkurt, do të bien dakord për dërgimin në Kosovë të një misioni të posaçëm, i cili duhet të mbajë nën kontroll situatën. Në takim njëherësh do të diskutohet edhe për një periudhë tranzicioni katërmujore, gjatë së cilës autoritetet e Kombeve të Bashkuara, që drejtojnë vendin prej përfundimit të luftës së viteve 1998-‘99, do t‘ia kalojnë pushtetin Kosovës së pavarur.

Për trazira të mundshme foli edhe kryeushtaraku turk, Jashar Bujukanit. Sipas së përditshmes turke (versioni anglisht) "Today‘s Zaman", gjatë një konference për shtyp dhënë pas takimit zyrtar me ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, Lazar Elenovski, gjenerali tregoi shqetësimin e shtetit turk pas deklaratave të zyrtarëve të lartë serbë për mundësinë e nisjes së një operacioni ushtarak, në rast se Kosova shpall pavarësinë pa marrëveshjen e të gjitha palëve.

"Një operacion ushtarak do të kërcënonte gjithë sigurinë e rajonit dhe do të shkaktonte probleme edhe në vendet e tjera", tha Bujukanit, duke shprehur keqardhje të thellë, që përpjekjet e shumta diplomatike nuk kishin dhënë fryte në zgjidhjen e çështjes.

"Shpresoj se problemi i Kosovës mund të zgjidhet përmes rrugëve paqësore. Të gjitha vendet ballkanike, ashtu si edhe Turqia, duhet të kontribuojnë pozitivisht në këtë proces", shtoi kryegjenerali, ndërkohë që një tjetër ushtarak i lartë i Forcave të Armatosura Turke, shefi i Shtabit të Forcave Tokësore, gjenerali Atila Ishik, ka nisur një vizitë dyditore në Kosovë, e cila pritet ta shpallë pavarësinë pas pak ditësh.

Sllovenia: Asnjë presion nga SHBA

E përditshmja italiane "L‘Unita" i kushton vëmendje asaj që tashmë në shtypin botëror, në mënyrë të veçantë në atë italian, njihet si dosja "Kosova". Për ekzistencën e saj u fol përpara pak ditësh në të përditshmen sllovene "Dnevnik" dhe në serben "Politika". Për të dyja këto gazeta dosja përmban dokumente që vërtetojnë se gjatë një takimi në Uashington, ambasadori slloven në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ministri i Jashtëm i vendit kanë marrë "urdhra" nga Daniel Fried dhe Rozmari Di Karlo, që të dy këshilltarë të sekretares së Shtetit Kondolesa Rais.

Qeveria e Lubljanës ka përgënjeshtruar gjithçka me ngulm, duke i përkufizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës miq e aleatë të Sllovenisë e të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Lubljanës ka hapur edhe një hetim për përgjegjësit. Sipas "Dnevnik" dhe "Politika", dosieri që u publikua të premten tregonte më së miri presionet amerikane ndaj Sllovenisë për të shpejtuar ritmin lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit i këshillonte politikanët kosovarë ta shpallin pavarësinë të dielën, për "të mos u dhënë rusëve mundësinë të kërkojnë mbajtjen e një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit", ku të mund të vendoste veton.

Nga dosja mësohej se diplomatët amerikanë qenë të sigurt se të paktën 15 vende të Bashkimit Evropian do ta njohin menjëherë sovranitetin e Kosovës. Sipas amerikanëve, ky numër ishte "absolutisht i mjaftueshëm", edhe pse gjashtë vende të tjera mund të lëkundeshin. Sipas "Dnevnik" dhe "Politika", Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkonin që të ishte Sllovenia ajo që ta njihte e para shtetin e pavarur kosovar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›