E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mbron Bashën nga akuzat e opozitës

Sulmet e opozitës ndaj ministrit Basha rezultojnë si të paargumentuara, pasi ai është një nga ministrat më të suksesshëm të kabinetit të qeverisë. Kjo është përgjigja që Kryeministri Berisha i jep nënkryetarit të grupit socialist Braçe, i cili prej disa ditësh ka publikuar pjesë nga raporti i KLSH-së. Në raport janë konstatuar abuzime në rrugën Durrës-Kukës dhe konkretisht në segmentin Rrëshen-Kalimash. "Basha është një nga ministrat më të suksesshëm të këtij vendi, në atë detyrë. Në rast se ai i hoqi vetes imunitetin për të vendosur një standard që nuk ka ekzistuar në këtë vend dhe për të zbatuar një angazhim elektoral të forcës politike që i përket, mendoj se ai po i shërben me dinjitet të madh këtij vendi dhe me përfaqësim realisht të çmuar. Ky është qëndrimi im në këtë çështje. Rruga Durrës-Kukës-Morinë është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në këtë vend", ishte përgjigja e Kryeministrit në konferencën e djeshme për shtyp. Në konferencë ai ka informuar mediat dhe nëpërmjet tyre shqiptarët në lidhje rezultatin e takimeve të tij në Bruksel. Kryeministri Berisha ka takuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Sheffer, ka bërë paraqitjen e ecurisë së Shqipërisë në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para 27 përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe takimin me Havier Solanën, përfaqësuesin më të lartë të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian. Sipas Kryeministrit Berisha imazhi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve ka ndryshuar dhe po ndryshon pozitivisht dhe ky është përfundimi më i rëndësishëm që ai ka sjellë nga këto takime. Berisha tha se mendimi përgjithshëm, si ai i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ashtu dhe i përfaqësuesve të vendeve anëtare që morën fjalën në këtë takim, ishte se Shqipëria ka bërë progres thelbësor dhe se është një vend plotësisht i konsiderueshëm për të marrë ftesën për anëtarësim, ndërkohë që kilometrin e fundit po e përshkon me një sprint të sigurt drejt ftesës. Faktorë përcaktues në arritjen e këtyre përfundimeve, kanë qenë lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, arritja në reformat ekonomike, reforma në Forcat e Armatosura, e cila është një reformë e suksesshme. Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë reformuar në përputhje me të gjitha kriteret e ndërtimit të ushtrive të Aleancës dhe ato janë të shpalosura dhe qëndrojnë në të gjitha zonat ku Aleanca kontribuon me operacione paqeruajtëse.

Gjithashtu Kryeministri tha se është shumë pozitive edhe krijimi i klimës politike të civilizuar në vend, bashkëpunimi i pozitës dhe opozitës, në interesin më të mirë të integrimit të vendit në NATO, angazhimi i tyre në një proces reformash, të cilat e bëjnë demokracinë shqiptare më funksionuese, e bëjnë Shqipërinë më të besueshme para qytetarëve shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar. Kryeministri ka siguruar opozitën se mazhoranca do të jetë gjithmonë e gatshme për të ofruar bashkëpunimin e saj afatgjatë në të gjitha çështjet ku ajo e gjykon se përputhen me programin e saj.

Reforma në drejtësi

"Për sa i përket reformës në drejtësi, tha Berisha, ne kemi përgatitur paketën tonë, e cila ju siguroj se nuk ka dallime, pasi nëse shtrohet pyetja a ka ndonjë dallim mes mazhorancës dhe opozitës për sa i përket drejtimit të drejtësisë, unë do t‘u thosha se nuk di të ketë ndonjë të tillë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›