E Diel, 1 Nëntor 2026

Thjesht një realitet

Alban Muja (artist nga Kosova) dhe suedezja Joanna Rytel do të prezantojnë sot filmin e shkurtër shqip në edicionin e dytë të festivalit ndërkombëtar, "Psarokokalo film festival", që mbahet në Athinë. Videoja që mban titullin, "Play girl", 4.40 minuta do të prezantohet sot në sallën e kinemasë, "Nixon". "Play girl" është një video rreth së cilës është menduar të thyhen ato rregullat dhe pritjet në një lidhje dashurie. Flitet për dy shokë dhe një vajzë me të cilën kanë pas marrëdhënie seksuale", tregon Muja me pak fjalë subjektin e videos. Dy artistët nuk kanë menduar të prezantojnë normat tradicionale të një lidhjeje, as të thyejnë tabutë, por thjesht të sjellin një realitet të thjeshtë. "Çdo gjë që bisedohet në video tregon për një ngjarje të vërtetë, që është menduar të bëhet pikërisht për videon ‘Play girl‘", thotë Muja.

Si përfaqësues të një mendësie të re, Muja dhe Rytel kërkojnë të tregojnë gjërat e thjeshta që mbushin përditshmërinë e tyre, dhe ndodhi në dukje si jashtë normales janë pjesë e realitetit të ri që mbart jeta në metropole, apo aty ku çdo ditë kërkohet diçka e re. Në video nuk mbahet qëndrim, pasi për Mujën nuk është mesazhi qëllimi i këtij krijimi. Është thjesht një ngjarje që vjen e merr formë në çdo sekondë dhe padashur ti kupton se sa i thjeshtë është një moment i tillë te protagonistët.

"Psarokalo film festival" është një edicion i cili ka në thelb filmin me metrazh të shkurtër dhe atë eksperimental. Athina është ndoshta një nga kryeqytetet që bën kaq shumë për filmin me metrazh të shkurtër, një gjini të cilën filmi i gjatë e ka dominuar. Gjatë një viti në zemër të këtij qyteti mund të gjesh hapësira të ndryshme, ku prezantohet filmi me metrazh të shkurtër, ose ai eksperimental, ku u jepet mundësi të rinjve për të provuar idetë e tyre. Nuk mund të besh filma të gjatë pa bërë një të shkurtër, është motoja e organizatorëve të "Psarokalo film festival", të cilët i japin të njëjtën rëndësi këtij festivali sikur të ishte i filmit artistik të gjatë. Në faqen zyrtare të festivalit nuk përmendet asnjë film me metrazh të shkurtër nga Shqipëria, përveç filmit të artistit kosovar Muja, edhe pse filmat tanë me metrazh të shkurtër kanë gjetur gjithnjë hapësirë prezantimi në festivalet e mbajtura në Greqi.

Gjatë ditëve të festivalit, që ka filluar më 1 shkurt dhe do të zgjasë deri më 10 shkurt, ka pasur dhe ekspozita të ndryshme të arteve vizive. Në "Nixon Hall" artistë të njohur grekë si: Valvi Aqqelina, Meramveliotakis Konstantios, Papagrigorios Alexandros, Deligannis Nikos, Chrysikos Theodoros, kanë prezantuar tendencat e fundit në artet pamore greke. Një tjetër performancë ka shoqëruar ditët e festivalit që ka lidhje me tingujt. E quajtur "Gjashtë tinguj", ajo jep ndjesitë se si muzika vijon të mbetet një nga artet më të gjalla.

Në festival marrin pjesë regjisorë nga vende të ndryshme të botës. Spanja prezantohet me Lucas M. Figueroa, me filmin "Biletat të lutem". Norvegjia me Andreas Schille, me filmin e shkurtër "Të kujtohet si ishe fëmi?". Kroacia me Ana Husman, me filmin "Marketi". Dy regjisorët grekë, Vasilis Kazis dhe Epikoyros Trantafillides, kanë prezantuar filmin "Trëndafila për një ditë". Franca prezantohet me Fritah Brahim, me filmin "Treni". Italia prezantohet me regjisorin Giulia Gerace, ndërsa Serbia me filmin "Minus" të Pavle Vuckovic. Festivali ka një shtrirje pothuajse në të gjitha vendet e botës. Dhe pse është edicioni i tij i dytë, organizatorët pohojnë se ka pasur një fluks filmash, të cilat i janë nënshtruar seleksionimit.

Nëse u referohesh titujve të filmave pjesëmarrës, sheh se kinemaja, edhe nëse është në 2 minuta apo 20 minuta, sa mund të zgjasë një film me metrazh të shkurtër, vijon të jetë një pasqyrë e së përditshmes sonë. Regjisorët nuk mund t‘i largohen dot asaj çfarë jetojnë në të përditshmen e tyre, qoftë dhe nëse i referohemi videos "Play girl", ku dy regjisorët janë përfaqësues të një brezi të ri, që kërkojnë të flasin me një tjetër mendësi, dhe të mos shohin asgjë të jashtëzakonshme në veprime që dikush mund t‘i quajë të tilla. Ashtu siç shprehen ata, "janë gjëra të thjeshta për t‘u kuptuar".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›