Shehaj: Ndryshimi do të fillojë në 11 maj

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Në një takim në kryeqytet, kryetari i partisë “Mundësia” Agron Shehaj u shpreh i bindur se ndryshimi që partitë e vjetra nuk duan të ndodhë, do të vijë në 11 maj dhe ftoi qytetarët që ta përdorin votën për ta bërë të mundur.
Sipas Shehajt, “kurrë nuk ka ndodhur në Shqipëri që deputetë të një force politike të pakapur të pakorruptueshme, transparente me qytetarët në lidhje me financimet të hyjnë në Parlament”.
Duke iu referuar forcës politike që ai drejton, Shehaj tha se “askush nuk mund t’i thotë asgjë, nuk mund ta mbajë peng, se jemi njerëz të ndershëm, nuk kemi pasur asnjë lidhje me pushtetin e nuk i kemi shtrirë dorën askujt, nuk kemi askënd nga pas që na financon fshehurazi, kjo i tremb, kjo tremb opozitën, por kjo tremb edhe mazhorancën”.
Shehaj tha se “ne jemi të vetëdijshëm që jemi në një luftë, kjo është lufta për ndryshimin e këta do luftojnë përditë të gjithë bashkë për të ndaluar ndryshimin”.
“Ky është vetëm fillimi, nuk e kanë me mua, e kanë me ndryshimin e kanë me ju me dëshirën tuaj për të ndryshuar. Por ndryshimi nuk mund të vijë vetë, secili të shkojë të votojë se ndryshimi nuk mund të ndalet, në 11 maj kemi mundësi të votojmë”, nënvizoi Shehaj.
“Në media ata që janë kundër ndryshimit nxjerrin arsye pse ndryshimi është i pamundur, kanë një qëllim të bindin qytetarët që ndryshimi nuk do vijë. Por ne jemi të bindur që ndryshimi do vijë e ndryshimi do fillojë në datën 11 maj”, u shpreh Shehaj. /j.p/