E Martë, 3 Nëntor 2026

PL: Do të rrisim buxhetin e arsimit në 5% të PBB-së

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Partia e Lirisë shpreh shqetësimin se sistemi arsimor në Shqipëri po përjeton një krizë të thellë, e cila rrezikon të ardhmen e brezave të rinj dhe zhvillimin e vendit.

Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Dea Nako në një deklaratë për mediet tha se, “mungesa e investimeve në infrastrukturë, largimi masiv i mësuesve të kualifikuar, politikat arsimore të paqarta dhe mungesa e mbështetjes për studentët dhe pedagogët po e shkatërrojnë cilësinë e arsimit publik”.

Sipas saj, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme pa një arsim cilësor dhe të barabartë për të gjithë.

Ajo deklaroi se, “programi i koalicionit “PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, është një program konkret dhe mëse i realizueshëm, ku i jepet një fokus i veçantë arsimit, për ta çuar në nivelet që duhet dhe për t’u dhënë të rinjve shqiptarë arsimimin që ata meritojnë”.

Nako tha se, “PL propozon: Rritje të buxhetit të arsimit në 5% të PBB-së: Akses 100% në internet në shkolla; Një kurrikul të fortë kombëtare; Përgjysmim të tarifave të studimit dhe ulje të kostos së jetesës për studentët; Praktika të detyruara pune për studentët; Mbështetje për punësimin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç dhe ngritjen e qendrave të sipërmarrjes dhe inkubatorëve të biznesit, për të nxitur startup-et dhe inovacionin”.

“Është koha për veprim. Është koha për t’i dhënë arsimit dinjitetin që i takon. Më 11 maj, i japim përgjigjen që meriton kësaj qeverie, duke votuar Nr. 1, “PD – ASHM”, u shpreh Nako.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›