E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehaj: Padrejtësi në shembjen e ndërtimeve pa leje

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj deklaroi sot se, shembja e ndërtimeve pa leje po bëhet me selektivitet.

Në një interpelancë në Kuvend me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, Shehaj tha se, një pjesë e ndërtimeve pa leje, e shtesave pa leje është prishur, një pjesë vazhdon të jetë aty.

Kjo, theksoi Shehaj, është një padrejtësi.

“Atij që nuk ka lidhje politike, nuk ka pushtet, ia shembni dhe e bëni shembull dhe e nxirrni pastaj në mediet tuaja, kurse të fortit që ka hedhur miliona euro në shtesa, sidomos nëpër lokale, atij nuk ia prekni, përkundrazi, atij ia legalizoni”, tha Shehaj.

Sipas Shehajt, shqiptarët nuk marrin dot leje dhe as nuk e regjistrojnë dot pronën.

Shehaj pyeti ministren se sa metra katrorë kanë mbetur për t’u shembur dhe cilët janë kriteret mbi të cilat vendoset se cila do të shembet dhe cila nuk do të shembet, cila do të shembet në fillim dhe cila do të shembet në një moment të dytë.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›