E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismaili: Vlora u zhvillua me investime, ndërsa flamingot u rikthyen me politika dhe fonde mbështetëse për mjedisin

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili në fjalimin e saj në Kuvend deklaroi se protestat dhe shqetësimet qytetare duhen dëgjuar me seriozitet, por paralajmëroi se krahas qytetarëve të sinqertë veprojnë edhe grupe të ndryshme interesi që përpiqen të përfitojnë nga situata.

“Çështjet e ngritura, qoftë reale apo artificiale, kërkojnë të trajtohen me maturi, reflektim dhe përgjegjësi”, deklaroi ministrja.

Ismaili vlerësoi faktin që protestat janë zhvilluar paqësisht, duke e konsideruar këtë një tregues të pjekurisë demokratike të vendit. Ajo kujtoi se në të kaluarën protestat kanë përfunduar me viktima, ndërsa sot qytetarët ndihen të sigurt për të protestuar edhe me familjet e tyre.

“Por memoria na thërret dhe na tregon se s’ka qenë fare e largët koha kur protestuesit vriteshin në mes të ditës, në mes të bulevardit, nga shteti që vetëm shtet nuk ishte. Prandaj, pavarësisht përmbajtjes, skenës e nën-skenës, ndihem krenare të di që qytetarët shkojnë në protestë me fëmijët, prej sigurisë që ndjejnë nga shteti”, tha ajo.

Megjithatë, ministrja dënoi episodet e dhunës të ndodhura në Zvërnec, ku një protestues u dhunua nga rojet private të sigurisë, duke vlerësuar si të drejtë reagimin institucional që çoi në heqjen e licencave të kompanive private.

Një pjesë e rëndësishme e fjalës së saj iu kushtua debatit për mjedisin. Ismaili kundërshtoi pretendimet se zhvillimi po dëmton ekosistemin e Nartës dhe solli statistika që sipas saj tregojnë të kundërtën.

Ajo deklaroi se falë moratoriumit të gjuetisë, investimeve në ligatina dhe politikave të mbrojtjes së natyrës, flamingot dhe pelikanët janë rikthyer në numër të konsiderueshëm në lagunën e Nartës.

Sipas saj, në vitin 2021 u regjistrua numri më i lartë i flamingove në zonë me mbi 3 mijë individë, ndërsa në vitin 2025 u dokumentua për herë të parë folezimi i tyre në Shqipëri.

“Falë nismës ligjore, investimeve në ligatina, punës së ekspertëve në zona të mbrojtura, ndalimi i gjuetisë nëpërmjet moratoriumit, u vu re se në vitet 2016-2026 ndodhi rikthimi i tufave të mëdha të flamingove në Nartë, me qindra individë që filluan të përdornin sërish lagunën si zonë, ushqimi dhe dimërimin. Statistika e të dhëna, jo nga shoqata “Qokash” sipas grupeve të interesit, por nga specialistë dhe ekspertë me të dhëna zyrtare, u pa që në vitin 2021 është regjistruar numri më i lartë i flamingove në zonë, u raportuan mbi 3000 individë dhe në vitin 2025 për herë të parë u dokumentua folezimi i tyre në Shqipëri, pikërisht në zonën e Nartës.

“Çka konsiderohet një sukses i madh për ruajtjen e specieve. Kjo tregon se laguna nuk po përdoret vetëm për dimërim dhe ushqim, por edhe për riprodhim. Dhe po, sot mund të themi se në lagunën e Nartës jetojnë e shumohen flamingo, dhe pelikanë. Gjatë viteve të fundit është vërejtur dhe tentative folezimi në kriporen e Nartës si një habitat i përshtatshëm për këtë proces kaq të rëndësishëm për specien”, tha ajo.

Ministrja argumentoi se përmirësimi i biodiversitetit nuk është kufizuar vetëm te shpendët.

Ajo përmendi rikthimin e specieve të rralla detare si foka mesdhetare, delfinët, breshkat detare dhe madje edhe praninë e balenave të rralla në ujërat pranë Karaburunit.

Ismaili mbrojti investimet e kryera në Vlorë gjatë viteve të fundit. Ajo e krahasoi qytetin e sotëm me Vlorën e para vitit 2013, kur sipas saj sezoni turistik zgjaste vetëm pak javë, kapacitetet hoteliere ishin minimale dhe mundësitë ekonomike për të rinjtë ishin të kufizuara.

“Vlora kishte të njëjtin det, të njëjtin mal, të njëjtën lagunë, por nuk kishte investimet, fondet dhe vizionin që ka sot”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, transformimi i qytetit është rezultat i investimeve publike dhe private që kanë sjellë rritje të turizmit, shtim të vendeve të punës, zgjerim të bizneseve dhe përmirësim të standardeve ekonomike.

Në përfundim, ajo theksoi se Vlora e sotme është shumë larg asaj që ishte një dekadë më parë, por ende larg potencialit që mund të arrijë në vitet e ardhshme.

“Vlora është shumë larg Vlorës së vitit 2013, por po aq larg është edhe nga Vlora e vitit 2035”, deklaroi ministrja.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›