E Martë, 3 Nëntor 2026

Shërbime dentare me preparate të skaduara, 2 të arrestuar në Tiranë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se është finalizuar operacioni policor i koduar “Siguria Dentare”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar i DPPSh-së, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë.

Në njoftim thuhet se në këtë klinikë kryheshin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara, arrestohen administratori i klinikës dentare dhe një stomatolog, ndërsa janë proceduar penalisht 12 punonjës në klinikë.

Në kuadër të planit të masave për kontrollet në klinika dentare, me qëllim sigurinë e pacientëve që marrin shërbim në këto subjekte, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”.

Policia njofton se në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›