Rama: Universiteti Bujqësor ka qenë pikë referimi, po degjeneroi në rrënojë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Universiteti Bujqësor i Tiranës, tanimë gati me programet e Universitetit BOKU të Vjenës dhe me synimin që UBT 2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.
Në fjalën e tij në aktivitetin për programet e reja të studimit në UBT sipas modelit të universitetit BOKU të Vjenës, Rama tha se “është shumë e rëndësishme që të përpiqemi të informojmë sa më shumë maturantët dhe maturantet që ka një zhvillim të ri në Tiranë, zhvillim të ri të paprecedent”.
Rama u shpreh se “asnjë universitet shqiptar në Shqipëri nuk ka bërë këtë që po bën Universiteti Bujqësor dhe në asnjë universitet në Shqipëri nuk mund të gjesh sot për sot këtë perspektivë që ka hapur kjo reformë reale europiane rrënjësore në këtë universitet”.
“Universiteti Bujqësor për hir të së vërtetës ka kaluar dy faza në historinë e vet, ka pasur një fazë në historinë e tij ku Universiteti Bujqësor ishte një qendër ekselence reale në kushte të vështira dhe mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi dhe kjo ishte koha para përmbysjes së regjimit ku Universiteti Bujqësor ishte edhe burimi më i rëndësishëm i dijes për atë zhvillim dhe ato nevoja të bujqësisë dhe fshatit që kishte atëherë nevoja vendi”, theksoi Rama.
Ama, vijoi Rama, pedagogët e UB-së ishin akademikë dhe ishin dijetarë të jashtëzakonshëm, është e pamohueshme kjo.
“Pastaj UB pati një fazë e tjetër që ishte faza e rrënimit, braktisjes dhe e degjenerimit publik të tij , ku përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara asgjë tjetër nuk mbeti aty. Rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte një zë profetik nga mali, por në fakt ajo telefonatë ishte pasi së bashku me rektorin ne bëmë një ndërhyrje të rëndë dhe të turpshme nga nevoja të çlirimit të universitetit nga pushtues që e kishin marrë të gjithë territorin e universitetit për historitë e tyre që nga qoftet deri tek shitja e të brendshmeve”, theksoi Rama.
Kryeministri vuri në dukje se ishte dramatike të hyjë në atë universitet për të shkuar në klasë, duhet të kaloje nëpërmjet një pazari ndërtimesh të paligjshme dhe aktivitetesh tregtare.
“Natyrisht edhe për faktin që shumëkush mendoi se koha e fshatit mbaroi edhe erdhi koha e qytetit, koha e tokës mbaroi edhe erdhi koha e tavolinës së klubit, koha e prodhimit të ushqimit mbaroi dhe erdhi koha e sanduiçeve me salçiçe frigoriferi etj,. natyrisht mbaroi edhe koha e autokombajnave dhe erdhi koha e mercedezëve të vjedhur dhe të gjithë i kthyen kurrizin UB, i cili u bë një rifuxho për ata nxënës që nuk kishin miq për të kapërcyer shkallët e korrupsionit përmes të cilave hyje në universitete prestigjioze, ku të gjithë hynin për t’u bërë juristë kështu dhe ne krijuam popullatën më të madhe të juristëve për metër katror”, tha Rama. /k.s/j.p/
1 nga 8