Ndezi zjarr me pasojë djegien e 40 hektarëve ullinj dhe pyll, arrestohet 64-vjeçari në Belsh

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Një sipërfaqe prej rreth 40 hektarësh tokë me ullinj dhe pyje është djegur si pasojë e një zjarri të ndezur në mënyrë të qëllimshme në fshatin Shegas, Belsh.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet e kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik zbuluan se zjarri kishte nisur në tokën në pronësi të 64-vjeçarit dhe më pas ishte përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme ullishte dhe pyll.
Policia nënvizon se nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me pemë ulliri dhe një sipërfaqe pylli, në total rreth 40 ha.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.
Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
/e.i/j.p/