Shiroka me hyrje të re turistike, nis faza e dytë e rikualifikimit, investim i ri për bregun e liqenit

Punimet për rikualifikimin e hyrjes turistike Shirokë–Shkodër kanë avancuar në fazën e dytë, duke përfaqësuar një tjetër zhvillim të rëndësishëm për këtë zonë të vizituar. Projekti synon transformimin e hyrjes në një hapësirë më funksionale dhe më tërheqëse nga ana vizuale përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe rritjes së standardeve urbane. Me këtë investim zona pritet të fitojë më shumë vlerë, duke u bërë më mikpritëse si për banorët e zonës, ashtu edhe për vizitorët që frekuentojnë bregun e liqenit.
Projekti parashikon zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës ekzistuese, sistemimin e trotuareve, ndërtimin e korsive për biçikleta, si dhe krijimin e një shëtitoreje buzë liqenit, e cila do të shërbejë si hapësirë rekreative për qytetarët dhe turistët. Gjithashtu, do të realizohet ndriçimi modern, gjelbërimi i zonës, vendosja e stolave dhe hapësirave çlodhëse, si dhe sistemimi i kanalizimeve dhe rrjetit të ujërave. Në kuadër të këtij investimi, po vijon edhe procesi i dëmshpërblimit për objektet që preken nga gjurma e projektit, me qëllim që punimet të zhvillohen pa pengesa.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/