E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkarkimi i Veliajt, Rama i përgjigjet opozitës: Hap i detyrueshëm për fatin e kryeqytetit

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Një ditë pasi këshilli bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar bashkie, për mungesë në detyrë të paktën për tre muaj, kryeministri Edi Rama njëherësh, kryetar i Partisë Socialiste, tha sot se ky hap ishte i detyrueshëm për fatin e kryeqytetit.

Gjatë një takimi në selinë e PS me deputetë dhe ish-deputetë të qarkut të Tiranës si dhe ministrat, Rama u shpreh se pas 7 muajsh iu hap rruga zgjedhjeve të reja dhe rindezjes së makinerisë së bashkisë së kryeqytetit.

“Pas 7 muajsh pa një kryetar bashkie të votuar në krye të detyrës dhe po ashtu pa një kryetar bashkie të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrën, u detyruam të marrim një hap të debatueshëm në raport me Erion Veliajn, por të detyrueshëm në raport me fatin e kryeqytetit të Shqipërisë.

Këshilli bashkiak miratoi dje shkarkimin e kryetarit në mungesë prej 7 muajsh për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja, dhe rindezjes me orë të plota të makinerisë së bashkisë të Tiranës”, u shpreh Rama.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me këtë hap, Rama tha se ata që sot “fryjnë gjokset” nuk e mundën dot Veliajn as me luftën e tyre patologjike, as me kandidaturat e tyre politike dhe as me karikaturat mediatike.

“Janë thënë dhe janë llomotitur shumë gjëra lidhur me këtë hap, por nuk ia vlen të merremi as me ata të cilëve iu ka rënë Diella në kokë, as me ata, të cilët e quajnë ‘diktaturë’, kur shumica parlamentare detyrohet të kalojë në votimin e programit, pasi i ndalohet t’ia paraqis programin Kuvendit me metodat famëkëqija të “rrylave të fytit” edhe të “bërrylave” në sallën e Kuvendit dhe as me ata, që tre herë rresht nuk e mundën dot Erionin me luftën e tyre patologjike, me kandidaturat e tyre politike dhe me karikaturat e tyre mediatike, që sot “fryjnë gjokset” me sebepin e një letre anonime ndaj një kundërshtari të lidhur duart dhe këmbët”, tha Rama.

Rama u shpreh më tej se të merresh me kandidaturat dhe me “karikaturat” është humbje kohe, ndërsa të merresh me drejtësinë është humbje busulle.

“Megjithatë, gjyqi i tyre prej “tellallësh të tezgave të pazarit mediatik” dhe “pasqyrave të gjykatave sociale” është një temë tjetër, ashtu sikundër është një temë krejt tjetër edhe çekuilibri i peshores së drejtësisë në rastin e kryetarit të bashkisë. Por, qoftë tezgat dhe pasqyrat e gjysmë vërtetave linçuese ndaj tij, qoftë procesi i drejtësisë për të, janë tema ku ne nuk mund të hyjmë si palë, sepse të merresh me kandidaturat dhe me karikaturat është humbje kohe, ndërsa të merresh me drejtësinë është humbje busulle”, tha Rama.

Rama shtoi se “tema jonë si palë e përgjegjshme në jetën e këtij vendi është që një histori drejtësie plot “pikëpyetje”, “pikëçuditëse” dhe “pikëpresje” që s’dihet për më tepër, sa do të zgjasë, të mos e marrë peng pafundësisht kryeqytetin e Shqipërisë dhe punët e tij”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›