Shkelën rregullat e qarkullimit, Policia Rrugore e Tiranës bllokon 23 motorë dhe 12 makina

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ Në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në rrugë, Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet ndaj mjeteve që, përmes modifikimeve të paligjshme, gjenerojnë zhurma të larta dhe cenojnë qetësinë publike.
Policia njoftoi se “gjatë kontrolleve në disa zona të kryeqytetit janë konstatuar dhe ndëshkuar drejtues mjetesh që shkelin normat e sjelljes në trafik, apo që kryejnë manovra të rrezikshme në rrugë, dhe shqetësojnë qytetarët në përditshmëri”.
“Konkretisht: 23 motomjete të bllokuara; 12 automjete të bllokuara; Masa administrative deri/mbi 1 milion lekë”, njoftoi Policia.
Policia Rrugore siguron qytetarët se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje, me tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje që cenon jetën, shëndetin dhe qetësinë e komunitetit.
/r.e//a.f/